Në Ferizaj mbahet “Panairi i produkteve rinore”

Prishtinë | 14 Pri 2018 | 15:36 | Nga

Qendra Rinore në Ferizaj, në kuadër të projektit “Të rinjtë aktiv dhe të fuqishëm”, i cili mbështetet nga GIZ – YES Programi “Rinia, Punësimi dhe Aftësimi Profesional”, këtë të shtune ka organizuar panairin e produkteve rinore, një event inovativ në qytetin e Ferizajt.
Në këtë panair të rinjtë e grup moshës 15-35 vjeç kishin mundësinë që të ekspozojnë dhe shesin produktet e tyre para qytetarëve.

Në këtë panair ishin të ftuar të gjithë të interesuarit e kësaj grup moshe, të cilët janë prodhues, apo përpunues të çfarëdo produkti, si artizanal, bujqësor, ushqimor, tradicional, apo nga cila do lëmi tjetër, ku i promovuan dhe shitën produktet e tyre.

Pjesëmarrësit e këtij panairi i ka vizituar edhe Xhemile Murati -Shabani, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë,Rini dhe Sport, e cila ka përshëndetur pjesëmarrësit e këtij panairi.

Pjesë e këtij panairi ishte edhe Qendra për Punësim në Ferizaj, e cila para të interesuarve promovoi shërbimet që i ofron.

“Ne sot jemi këtu që të promovojmë shërbimet e zyrës së punësimit, shërbime të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të një vendi, ne promovojmë punësimet dhe vetëpunësimet, pra vendet e lira të punës në ndërmarrjet private dhe po ashtu edhe vetëpunësimet që i përkrahmi të gjithë ata punëkërkues që kanë një plan biznesi të mirë për t’u vetëpunësua dhe për të krijuar vende të punës dhe ne kemi dalë këtu për t’iu treguar atyre se kanë mundësi të punësohen dhe vetëpunësohen siç janë raste konkrete që kanë krijuar produkte dhe ndërmarrje të vogla dhe tani me ato produkte krijojnë të hyra për familjet e tyre, të rinjtë duhet ta dinë se duhet të vinë të regjistrohen në zyrën e punësimit, të informohen për shërbimet tona dhe të orientohen në karrierën e tyre pavarësisht shkollimit që kanë kryer”,tha Naim Gashi, drejtor i Qendrës për Punësim.

Ndërsa, udhëheqësja e sektorit të Rinisë në Ferizaj Dashurie Ahmeti, tha se e gëzon fakti që të rinjtë në forma të ndryshme kanë filluar të vetëpunësohen.

“Unë po shoh se shumë të ri kanë filluar biznese, e sidomos në rrjete sociale dhe duke e pa që interesim i qytetarëve është i madh, kanë menduar me i regjistru si biznese dhe përveç që janë vetëpunësuar, por edhe janë duke punësuar edhe të ri të tjerë, dhe tani shohim se shumë të ri dhe të reja janë ndërmarrëse, qoftë përmes biznesit që e kanë filluar përmes rrjeteve sociale, por qoftë si biznese të reja”,tha Ahmeti.

Ky panair po mbahet në sheshin “Hyrë Emini” nga ora 10:00 deri 15:00, ku për të gjithë të interesuarit ishte siguruar hapësirë e nevojshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme