Në Seminarin e Asamblesë së NATO-s debatohet për dialogun Beograd-Prishtinë

Prishtinë | 22 Tet 2016 | 20:55 | Nga

Panelistë ishin ministrja pa portofol, Edita Tahiri, kryetarët e odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, Gërxhaliu dhe Çadezh, si dhe përfaqësuesi i shoqërisë civile nga pjesa veriore e vendit, Radakoviq

Në sesionin II të Seminari i 93-të ROSE-ROTH të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të moderuar nga Frank van KAPPEN (Holandë), zëvendëskryesues i Komisionit të AP-së së NATO-s për Ekonomi dhe Siguri,është debatuar lidhur me dialogun Beograd-Prishtinë me moton: Lëvizja përtej rrugëve të bllokuara.

Paneliste e parë e këtij sesioni ishte Edita TAHIRI, ministrja pa portofol, e ngarkuar për dialogun me Beogradin, e cila ka prezantuar pikëpamjet Prishtinës zyrtare për këtë dialog. “Qeveria e Kosovës i jep rëndësi të madhe dialogut të Brukseslit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë dialog, të cilin e mbështesin edhe SHBA-ja, e konsiderojmë si dialog të fqinjësisë së mirë, për arritjen e paqes dhe të integrimeve evropiane”, ka theksuar Tahiri.Ajo është shprehur e bindur se ka ardhur koha për paqe ndërmjet dy vendeve, duke u njohur reciprokisht të dy shtetet. Si çështje kryesore të paqes dhe të stabilitetit të rajonit dhe integrimit evropian të tij, e ka vlerësuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, si bazë për krijimin e raporteve paqësore ndërmjet dy popujve: serbëve dhe shqiptarëve.

Dialogu ka dhënë rezultate të rëndësishme, ka thënë Tahiri, duke i quajtur madje edhe historike, për faktin se për herë të parë, në dialogun ndërmjet dy vendeve , arrihen marrëveshje të nënshkruara. Ndër sukseset e marrëveshjeve të arritura ajo ka përmendur kufirin e integruar, zhbërjen e strukturave paralele dhe ,siç është shprehur ajo,zhbllokimin e sotëm të Urës së Ibrit. Ajo ka përmendur edhe një serë marrëveshjesh tjera të dobishme për qytetarët e të dy vendeve, ndërkaq si problematike e ka vlerësuar bllokimin që i ka bërë Serbia Kodit telefonik për Kosovën dhe KOST-it, që kanë, pos të tjerash, edhe implikime negative për ekonominë e vendit.

Duke folur për marrëveshjen e arritur për Asociacionin e komunave me shumicë të popullsisë serbe, ministrja ka thënë se ai do të jetësohet vetëm pas shuarjes së plotë të strukturave paralele serbe në veri të vendit. Ndërkaq ajo ka deklaruar se asociacioni në fjalë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe se nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit në Republikën e Kosovës Ajo ekspozenë e saj e ka përfunduar duke u shprehur e bindur se dialogu po ndikon pozitivisht në integrimin e serbëve të Veriut në sistemin e Kosovës .

Ministres i janë shtruar pyetje të shumta nga pjesëtarë të delegacionit të AP të NATO-së për çështje të caktuar të dialogut, të cilave ajo u është përgjigjur, duke e përmendur gjyqësinë e integruar në sistemin juridik të Kosovës, integrimin e pjesëtarëve të strukturës paraushtarake serbe në veri” Mbrojtja civile”( 483 sish) në strukturat civile të institucioneve të Kosovës, etj.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, madje edhe nga radhët e pozitës, i kanë kontestuar disa nga pohimet e Ministres për dialog, duke thënë se deri me sot nga dialogu në fjalë ka përfituar vetëm Serbia dhe jo qytetarët e vendit tonë.

Si panelit i dytë ishte paraparë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet GËRXHALIU, por ai me përparësi fjale i dhe Marko ÇADEZHIT, kryetari i Dhomës Serbe të Tregtisë dhe Industrisë, i cili foli për
mënyrën se si dialogu Beograd-Prishtinë të funksionojë në planin e zhvillimit ekonomik dhe në interes të qytetarëve. “Njerëzit në të dy shoqëritë tona mëtojnë të jetojnë në BE”, ka theksuar Çadezh, duke thënë se këtë fakt do të duhej ta kinin parasysh edhe politikanë tanë.

Ai e ka lavdëruar bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy odave ekonomike, e duke e quajtur homologun e tij kosovar, si mikun e tij të sinqertë. Ai ka folur edhe për angazhimet e të dy odave për bashkëpunim me të
gjitha simotrat e vendeve ballkanike ( tetë sosh), sepse , siç është shprehur ai, të gjitha vendet e Ballkanit janë të vogla për veten e tyre dhe se të gjitha së bashku përbëjnë një treg prej 25 milion banorësh që doemos do të jetë interesant për partnerë të fuqishëm nga ekonomi të mëdha botërore.

Çadezh ka pohuar se duhet nxitur qeveritë e të dy vendeve për krijimin e lehtësirave në transport, sidomos sa i përket realizimit të autostradës Beograd-Prishtinë.

Safet GËRXHALIU, duke folur për në të njëjtën temë, por nga pikëpamja e Kosovës, se dialogu ndërmjet dy odave ekonomike ka rëndësi të shumëfishtë. “Pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm nuk mund të ketë as zhvillim të suksesshëm social, kulturor e politik të vendit”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndër ndërsa ndër sukseset e arritura të institucionit që e drejton ai ka përmendur anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në një varg asociacionesh ndërkombëtare.

Ai ka qenë kritik për faktin e disbalancit tregtar të Kosovës me Serbinë dhe vendet tjera për faktin , siç është shprehur ai: “Jemi i vetmi shtet në Ballkan që më së shumti eksportojmë para”.

Ai është angazhuar që politike të lehtësojë të bërit biznes dhe këmbimin e mallrave,duke thënë se tregtia është si uji: i gjen të çarat dhe suksesin.

Dushan RADAKOVIQ, nga Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (nga pjesa veriore e vendit), ka folur për mbikëqyrjen qytetare dhe mbështetjen e dialogut Beograd-Prishtinë . Ai dialogun ndërmjet odave ekonomike e ka quajtur shembull të mirë të dialogut, e duke e shprehur tone kritike për transparencën e pamjaftueshme të bisedimeve në Bruksel. Ai në një mënyrë e ka vënë në dyshim pohimin e ministres Tahiri për gjyqësi të integruar në Kosovë, duke pohuar se në Veri funksionon gjykata nën juridiksionin e Serbisë.

Ai i ka kritikuar ekipet negociuese të të dy vendeve pse nuk kanë organizuar asnjë debat publik lidhur me ecurinë dhe sukseset e arritura të dialogut në Bruksel. Problem, ndërkaq e ka parë edhe interpretimin e ndryshëm, në Beograd dhe Prishtinë, të marrëveshjeve të arritura.

Ai ka pohuar se Ligji për Trepçën do të jetë pengesë për integrimin e mëtutjeshëm të serbëve në institucionet e Kosovës, ndërkaq, ka theksuar se regjimi i Beogradi vazhdon t’i paguaj ende rreth 40 pjesëtarë të komunitetit serbë në Kosovë, e duke shprehur dyshimin e tij nëse buxheti i dobët i Kosovës, do të arrinte t’i paguante ata edhe po të shprehnin gatishmërinë të integroheshin në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës.

Ai, si dhe dy kryetarët e odave ekonomike, panelistë të këtij takimi, kanë pasur një konstatim të përbashkët: “Mund edhe të mos duhemi, por mund dhe duhet të bashkëpunojmë”.

Si shembull personal për kontakte të mira dhe dialog, Çadezh e ka përmendur faktin që po mban kurs intensiv për mësimin e gjuhës shqipe, kurse Radakoviq, ka theksuar njohja e mirë e gjuhës shqipe e ka ndihmuar shumë në punën që kryen dhe në kontakte me qytetarë.

Seminari i AP të NATO-s, i vazhdon punimet nesër , në katër sesione të tjera.

Të ngjashme