Nënshkruhet marrëveshje për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë dhe Xhamisë së Gazi Mehmet Pashës

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 10:57 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) nënshkruajtën memorandume bashkëpunimi për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë dhe Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës (Xhamia Bajrakli) në Prizren, projekte këto të cilat do të realizohen nga TIKA.

Veton Firzi, sekretari i Ministrisë së Kulturës, ka thënë se restaurimi i këtyre dy xhamive do të bëhet konform ligjit për trashëgimi kulturore.

“Sot pata kënaqësinë të jemi nënshkrues për restaurimin e xhamisë në Prishtinë dhe Prizren. Falënderoj qeverinë turke për ndihmën e vazhdueshme që po na jep për ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore. Në bazë të memorandumeve të nënshkruara, obligimet e MKRS-së janë që pjesa administrative të bëhet konform ligjit për trashëgimi kulturore”.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivicilim Kilic, ka thënë se restaurimi i këtyre dy monumenteve do të krijojë një lidhje të fortë mes dy popujve, shqiptar dhe atij turk, raporton Ekonomia Online.

“Është një ditë e bukur jemi mbledhë këtu për të nënshkruar dy memorandume për monumente të rëndësishme. Me këtë rast me punimet që do të bëhen do të përfitojnë gjeneratat dhe këto monumente do të trashëgohen në gjeneratat e ardhshme. Këto monumente të historisë tonë të përbashkët do të jenë një lidhje e fortë mes dy popujve dhe dy vendeve tona”.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka theksuar se ka qenë e padrejtë që 6 vite është rrethuar ajo xhami dhe bëri thirrje që MKRS-ja të lehtësojë punën për restaurimin e monumenteve, raporton EO.

“Mbrëmë ishte nata e Kadrit sot është një ditë e bereqetshme që po nënshkruhen këto dy memorandume për restaurimin e dy xhamive më të vjetra në Kosovë. Ka qenë e padrejtë që 6 vite në mënyrë figurative po them,  e kemi rrethuar atë xhami dhe e kemi mbajtur si të burgosur, duke pasë parasysh se janë letërnjoftim i Prishtinës së vjetër”.

“Xhamia e Çarshisë është një e padrejtë e madhe që ka mbetë e tillë një mosmarrëveshje mes komunës dhe institutit. Po besoj se me këtë nënshkrim do të vjen deri te restaurimi i plotë dhe nuk do të ketë pengesa më”.

“MKRS duhet të lehtësojë punën për restaurimin e monumenteve në Kosovë. Bashkia Islame po has në disa pengesa të pajustifikueshme për restaurimin e disa xhamive, edhe në Prishtinë, dhe në vende të tjera se xhamitë e vjetra në Kosovë janë në gjendje të mjerueshme. Kur të tjerët na ndihmojnë në restaurimin e tyre mos të u qesim probleme administrative”.

Ternava po ashtu bëri lutje MKRS-së që Hamami i Prishtinës të kthehet në pronësi të Bashkësisë Islame, siç ishte deri në vitin 1952, kur komunistët e morën atë. Por sekretari i MKRS-së, Firzi tha se kthimi i pronave nuk është kompetencë e ministrisë.

Të ngjashme