Nesër fillon shitja e mjeteve piroteknike, mbi 10 ton u importuan në Kosovë

Prishtinë | 18 Dhj 2017 | 13:01 | Nga

Festat e fundvitit po afrohen, e manifestimi i tyre me mjete piroteknike e me fishekzjarre është shumë prezent edhe në Kosovë.

Këtë vit shitja e tyre në Kosovë fillon nesër më datë 19 nëntor, ndërkaq përdorimi i tyre është i lejuar nga data 26 dhjetor, shkruan Koha.net.

Viti 2017 karshi vitit 2016, deri në gjysmën e muajit dhjetor ka shënuar rënie të importit të mjeteve piroteknike, megjithatë deri në fund të dhjetorit, kjo statistikë mund të ndryshojë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka treguar edhe të dhënat komerciale sipas kodit tarifor deri më tani.

Vlera e përgjithshme e fishekzjarrëve e mjeteve të tjera piroteknike në vitin 2016 ishte 116,417.14 euro ose mbi 74 ton.

Këtë vit, në Kosovë deri tani u importuan mbi 10 ton, e që në vlerë monetare arrin në 22,163.43 euro.

Stavileci ka treguar për Koha.net se deri në fund të muajit dhjetor, këto statistika mund të ndryshojnë pasi në fund të dhjetorit bëhet në numër më të madh importi i tyre.

Ka thënë se gjatë importit, Dogana ka hasur edhe në kapjen e kontrabanduar të tyre, megjithatë jo të sasive të mëdha.

“Kemi pasur disa raste të kapjes së fishekzjarrëve, por jo në sasi të mëdha”, tha ai për Koha.net.

Në anën tjetër, nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur datat se kur mjetet piroteknike mund të shiten dhe kur është i lejueshëm përdorimi i tyre.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme Roksana Qarri, ka thënë për Koha.net se shitja e tyre lejohet nga data 19 dhjetor ndërsa përdorimi nga data 26 e këtij muaji.

“Nga data 19 dhjetor deri më datë 31 dhjetor lejohet shitja e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike pa pasë nevojë për pajisje me leje nga MPB, ndërsa përdorimi i tyre lejohet nga data 26 dhjetor deri më 2 janar. As për këtë interval kohor nuk nevojitet leja për përdorim”, tha Qarri për Koha.net.

Ajo tutje ka shtuar se gjatë pjesës tjetër të vitit, për shitje dhe përdorim të fishekzjarrëve paraprakisht duhet të merret leja nga MPB apo nga Policia e Kosovës.

E në anën tjetër, edhe Policia e Kosovës, ka thënë se është e gatshme të ndërmarrë veprime për çdo incident që mund të ndodhë gjatë kësaj periudhe kohore.

“Bazuar në procedurat e parapara institucionet dhe inspekcionet kompetente merren me kontrollin e tyre, ndërsa Policia e Kosovës është e gatshme të veprojë në të gjitha rastet ku kërkohet dhe vlerësohet nevoja e veprimit policor”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Koha.net.

Nga MPB, kanë treguar se këtë vit në gjithë Kosovën janë 5 inspektorë nacional të cilët do të bëjnë mbikëqyrjen e plasimit të fishekzjarrëve në tregun e Kosovës.

E edhe këtë vit, nga Ministria e Punëve të Brendshme do të zhvillohet një fushatë për përdorimin e sigurt të fishekzjarrëve dhe mjeteve tjera piroteknike.

“Do të lansohet një fushatë vetëdijësuese mbi përdorimin e sigurt të fishekzjarrëve, e kjo do të bëhet përmes një video spoti”, ka thënë Qorri në një përgjigje për Koha.net.

Mjetet piroteknike dhe fishekzjarret importohen në Kosovë kryesisht nga Kina dhe Gjermania.

Kujtojmë se këtë vit shitësit ambulantë në kryeqytet nuk kanë filluar aktivitetin e tyre para afatit ligjor, ndonëse Udhëzimi administrativ i MPB-së e ndalon shitjen para datës 19 nëntor, e që shpesh në kryeqytet kjo është shkelur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme