Një kompani e pranueshme për Byronë e Sigurimeve mund të shes Kartona të Gjelbër

Prishtinë | 27 Maj 2018 | 07:56 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Autoritetet në Kosovë tash e 20 vite pas luftës ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për sigurimin e Kartonit të Gjelbër, si polisë ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës, e cila lehtëson udhëtimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë.

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka formuar një grup punues për të zgjidhur problemin e Kartonit të Gjelbër për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa si dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se grupi punues është në fazën fillestare për të gjetur një kompani të pranueshme për Byronë e Sigurimeve Kosovare e cila mund të shesë Kartona të Gjelbër.

“Ne kemi nisur konsultimet me akterët relevantë, kemi pranuar komente nga BQK-ja, nga Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe nga Ministria e Financave dhe ajo e Punëve të Brendshme. Në këtë fazë jemi duke trajtuar zgjidhjen për gjetjen e një kompanie eventuale të pranueshme për Byronë që mund të shesë Kartona të Gjelbër për qytetarët e Kosovës, pra ata që jetojnë në Kosovë”.

“…faza e dytë është më e komplikuar që ka të bëjë me pranimin e Kartonit të Gjelbër si territor të Kosovës dhe me këtë zgjidhje të problemit të diasporës që vjen në Kosovë dhe pagesave kufitare”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa para disa ditësh, Drejtori i Byrosë së Sigurimeve (BSK), Blerim Pushkolli, problem kryesor për mospajisje të Kosovës me Karton të Gjelbër e ka cilësuar mosanëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Por Abdixhiku për EO ka thënë se zgjidhja e kësaj çështjeje varet prej angazhimit të institucioneve të Kosovës, por një kriter që duhet të përmbushet për t’i dhënë fund pritjes dydekadëshe të diasporës është zvogëlimi i numrit të automjeteve të paregjistruara.

Në Kosovë janë rreth 65 mijë automjete të paregjistruara dhe, sipas Abdixhikut, zvogëlimi në 15 mijë sosh për të fituar Kosova këtë të drejtë varet ekskluzivisht nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

“Kjo varet gjithsesi prej faktorëve institucionalë që ka Kosova. Njëri prej kritereve që duhet të përmbushen është numri i automjeteve të paregjistruara, varet ekskluzivisht prej Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nëse kjo ministri nuk i redukton ato 65 mijë automjete të paregjistruara në 15 mijë sosh për pak muaj, do të zgjatet i gjithë procesi, sepse nuk do të ketë kompani që do të bëjë shitjen e polisave kur ka aq shumë automjete të pasiguruara”, ka thënë Abdixhiku.

“…pra do të jetë esenciale koordinimi, në mënyrë që të detyrohen institucionet e Kosovës të veprojnë shpejt dhe besoj që parlamenti e ka për obligim të luajë këtë rol”, ka shtuar ai.

Të ngjashme