Një nxënës në Gjilan arrestohet për hedhje të sprejit në shkollë

Prishtinë | 13 Pri 2018 | 15:59 | Nga

Një nxënës i shkollës së mesme mjekësore “Asllan Elezi” në komunën e Gjilanit ka përfunduar në pranga meqë dyshohet së ambientet e shkollës kishte hedhur peper sprej nga e cila substancë ishin prekur dy nxënëse të cilat ishin trajtuar në Spitalin Regjional të Gjilanit meqë kishin pasur probleme në frymëmarrje dhe aspekte tjera të çrregullimit të shëndetit.

Nxënësi ishte arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të Shkaktimit të Rrezikut të Përgjithshëm dhe se policia kishte kontrolluar edhe telefonin e tij ku edhe ishin gjetur disa foto të armëve. Dhe se këto foto ishin shkaktar që policia të sigurojë një vendim të gjykatës për bastisje në shtëpinë e prindit të nxënësit në komunën e Vitisë dhe pasi ishte bërë bastisja në atë shtëpi ishin gjetur një armë automatike, një pistoletë dhe municione, raporton Koha Ditore.

Shaban Azizi, zëvendëskomandant i Stacionit Policor në Gjilan thotë se nxënësi ka pranuar veprën penale me të cilën ngarkohet dhe se rasti është dërguar në procedurë të rregullt në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“I mituri ka pranuar se ka hedhur peper sprej në shkollën e mesme ‘Asllan Elezi’. Pasi të martën ishte paraqitur rasti ‘Shkaktim i Rrezikut te Përgjithshëm’ te shkolla e mesme ‘Asllan Elezi’ në Gjilan ku një i dyshimtë kishte hedhur substancë kimike. Pas identifikimit dhe arrestimit te dyshimtit,ne telefonin e tij ishin gjete foto te disa armeve dhe me vendim te gjykatës është bere bastisja e shtëpisë se prindit te tij në Viti ku është gjete një sasi e armeve një AK 47,një pushke (M.48) ,një pistoletë,disa dhjetëra cope te municioneve te ndryshme,shumë pajisje tjera shtesë të armëve. Rasti është dërguar ne procedure te rregullt ne Prokurorinë Themelore ne Gjilan”, ka thënë Azizi

Ndërsa drejtoria e shkollës së mesme mjekësore “Asllan Elezi” pohojnë se policia ka arrestuar njërin nga nxënësit e kësaj shkolle nën dyshimin se ka hedhur substanca të palejuara të cilat kanë rrezikuar shëndetin e nxënësve.

Shaban Terstena, drejtor i shkollës deklaron se ata do të marrin masa ndaj nxënësit pasi rasti të trajtohet nga ana e institucioneve të drejtësisë. Ai dyshon se hedhja e substancës nga nxënësi është bërë me qëllim të pengimit të procesit mësimor.

“Është arrestuar një nxënës i shkollës tonë dhe ne jemi duke zhvilluar atë pjesën tonë të hetimeve. Sa i përket masave ndaj nxënësit në bazë të udhëzimit administrativ do t’i shqiptohet masa disiplinore konforme veprës që e ka kryer. Nuk është mirë mu ngut sepse ai është për momentin vetëm një i dyshuar edhepse kemi informata se e ka bërë pranimin e fajit në hetuesi mirëpo gjygji nuk e ka kryer punën e vet. Normalisht nëse e marrim masën më të madhe do të jetë largimi nga një shkollë në shkollën tjetër. Tjetër masë nuk kemi mundësi me marr ma shumë si masë edukative është kjo” ka thënë ai.

Për trajtimin e problemeve të cilat janë brenda shkollave drejtoria e arsimit në Gjilan nuk ka asnjë psikolog. Ejup Uruqi, shef i arsimit në kuadër të drejtorisë të arsimit në Gjilan thotë se ata ende nuk kanë të angazhuar një psikolog dhe se presin që këto pozita të plotësohen pasi të ndodh riorganizimi brenda komunës.

“Për momentin nuk kemi psikologë. Ne mendojmë që të angazhojmë një psikolog mirëpo kemi mungesë të kuadrit shembull zyrtar për nivelin e mesëm dhe na mungon një administruese dhe besojmë se pasi të ndodh një riorganizim brenda komunës do të plotësohen edhe këto vende”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme