OAK: Aktorët që kryen tentim vrasjen ndaj Vllasit të vihen para drejtësisë

Prishtinë | 13 Mar 2017 | 11:44 | Nga

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka dënuar ashpër sulmin që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të ditës së hënë, me ç’rast është plagosur avokati, Azem Vllasi. Lidhur me këtë rast, OAK është e shqetësuar për kanosjet, kërcënimet dhe sulmet fizike që janë duke u bërë ndaj avokatëve kohëve të fundit në Republikën e Kosovës.

OAK kërkon nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin rastin dhe aktorët e këtij akti të shëmtuar të dalin para drejtësisë. Oda e Avokatëve të Kosovës rikujton detyrimet e qeverisë dhe organeve përkatëse të saj për të garantuar pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të profesionit të avokatit.

“Institucioni i avokatisë është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e rendit dhe vënien e sundimit të ligjit, dhe çdo akt i drejtuar kundër avokatit derisa ai e ushtron profesionin e vet, është njëkohësisht edhe sulm kundër sistemit të drejtësisë në Kosovë”.

“Ata që ngrenë dorën mbi një avokatë, ngrenë dorë mbi lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e drejtësisë, mbi të tanishmen të ardhmen që ka të bëjë edhe me sistemin e sigurisë së qytetarëve”, thuhet në reagimin e OAK-ut.

Më tej theksohet se rastet e tilla nuk janë rastësi, ato janë një paralajmërim i keq për fatin e drejtësisë dhe perspektivës evropiane.

“Por, pavarësisht kësaj, ne do të qëndrojmë dhe nuk do të dorëzohemi nga çfarëdo kërcënimi për të arritur synimet tona dhe gjeneratave që në të ardhmen të mbrojmë shtetin e së drejtës. Do e mbrojmë profesionin e avokatit, siç mbrohen në tërë botën e civilizuar e demokratike”.

“Ata që janë përgjegjës për sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të mbrojnë dhe sigurojnë përfaqësuesit e institucioneve, pa përjashtuar edhe avokatinë. Nuk mjafton të deklarohemi se jemi të indinjuar, sepse rastet e tilla janë duke ndodhur, ashtu që duhet punuar pa ndërprerë për të realizuar një siguri për të gjithë, për të zhvilluar shtetin e Kosovës dhe për të arritur një shkallë të lartë të demokracisë dhe të pavarësisë së sistemit të drejtësisë”, thuhet në reagim.

Prandaj, duhet të zbulohen vrasësit e lirisë dhe të pavarësisë së avokatisë të cilët përfaqësojnë dhe mbrojnë sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme