O’Connell: Vullnetarizmi me bazë në komunitete sjell ndryshime në Kosovë

Prishtinë | 16 Mar 2017 | 15:36 | Nga

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka mbajtur Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve për Vullnetarizëm dhe Aktivizëm Qytetar, në kuadër të projektit “Vullnetarizmi për Zhvillim: Promovimi i Vullnetarizmit dhe Qytetarisë Aktive në Kosovë”, i cili implementohet në bashkëpunim me George William Youth Association (GWY) dhe mbështetet financiarisht nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Ajete Kërqeli, Menaxhere e Projektit tha se janë pranur 348 nominime për vullnetarë për një muaj sa ishte i hapur nominimi. Përveç këtyre 348 të nominuarve edhe të gjithë vullnetarët e tjerë në komunitet janë heronjë dhe heroina të përditshmërisë tonë. Andaj të gjithë ne jemi përulës dhe mirënjohës për punën e secilit prej tyre.
Ruairí O’Connell, Ambasador në Ambasadën Britanike në Prishtinë, theksoi se vullnetarizmi me bazë në komunitet është iniciativa kryesore që do të sjell ndryshime në Kosovë. Prandaj të rinjët në Kosovë nuk kanë kohë për të humbur.

Vullnetarja e vitit është shpallur Afërdita Tahiri nga Prishtina, ku përveç punës së saj zyrtare ajo 10 vitet e fundit njihet për punën e saj vullnetare me fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët në nevojë. Nga viti 2008-2013 ajo ndihmoi organizatën HENDIFER në Ferizaj, në përpilim të projekteve dhe implementim të aktiviteteve të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Nga viti 2013, ajo jep mësime të gjuhës angleze në SOS Fshati në Kosovë, për fëmijët e kësaj qendre. Po ashtu nga viti 2016 ajo së bashku me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, ka filluar aktivitetin bjeshkatar për ecje në natyrë “Ndjeje natyrën” për personat me shikim të dobët.

Mirënjohje për aktivizëm qytetar i’u dha Arrita Deva e cila është e angazhuar në shumë aktivitete bamirëse për komunitetin. Ajo si vullnetare në organizatën Kenny Foundation ka organizuar të rinjët për të mbledhur fonde për të përkrahur rastet sociale në komunën e Mitrovicës.

Mirënjohje për promovim të vullnetarizmit shkoi për vullnetarët e Festivalit Dokufest. Secili nga vullnetarët/et e Festivalit i kanë shërbyer komunitetit në të cilin vepruan. Gjithashtu, me punën e tyre ata kontribuan në zhvillimin kulturor, ekonomik e turistik të Prizrenit dhe promovimin ndërkombëtar të këtij festivali.

Mirënjohje për kontribut në komunitet ju nda Rabihane Dema dhe Anisa dhe Erhan Mujka. Rabihane Dema njihet në komunitet për punën e saj vullnetare duke ndihmuar gratë e dhunura seksualisht gjatë dhe pas luftës, poashtu gratë të cilat ishin subjekt i dhunës familjare, duke ofruar shërbime falas në fushën e gjinekologjise obstetrike në Kosovë. Gjithashtu, përmes “Qendrës për mbrojten e grave dhe fëmijëve” ajo vizitoi kampet refugjate në Tetovë dhe rrethinë ku ofroi shërbime mjekësore dhe barna falas.

Anisa dhe Erhan Mujka në Komunën e Mitrovicës njihen si organizatorët e aktiviteteve kulturore për të ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuara. Ata kanë formuar grupe të muzikës me nxënës dhe me fëmijët e “Down Syndrome Mitrovica”, ju kanë mësuar këngë të njëjta. Në koncertet e organizuara kanë ekzpozuar piktura të punuar nga vetë fëmijët dhe me shitjen e tyre ju ndihmuan organizatave që ndihmojnë fëmijët me aftësi të kufizuara.

Qëllim i Çmimit për Vullnetarët dhe Aktivistët Qytetarë të Vitit është promovimi i punës dhe angazhimit të vullnetarëve në Kosovë, aktivizmi dhe shërbimi i të cilëve ka bërë ndryshim të dukshëm në komunitetet e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme