OSBE kërkon të vërtetën për gazetarët e vrarë apo të zhdukur në Kosovë

Prishtinë | 16 Maj 2018 | 17:20 | Nga

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, u ka bërë thirrje autoriteteve të drejtësisë në Kosovës që t’i shtojnë përpjekjet për t’i zbardhur rastet e gazetarëve të cilët janë rrëmbyer, vrarë apo zhdukur gjatë apo pas periudhës së luftës në Kosovë.

Në Kryeprokurorinë e Shtetit, thonë se nga marsi i vitit 2017, Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve.

Këshilltarja e Kryeprokurorit të Shtetit, Merita Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe lidhur me raste e vrasjeve apo zhdukjes së gazetarëve të kohës së luftës, prokuroritë po punojnë në zbardhjen e tyre.

“Për të gjitha rastet, përfshirë ato edhe gjatë luftës edhe pas luftës, Prokuroria është duke punuar dhe hetuar intensivisht që këto raste te zbardhen sa me shpejt”, tha Gashi.

Sipas informatave të misionit të OSBE-së, janë 15 gazetarë shqiptarë dhe serbë të cilët janë vrarë, kindapuar apo zhdukur, tha për Radion Evropa e Lirë, Senad Shaboviq, zëdhënës i OSBE-së në Prishtinë.

“Ajo që ne po bëjmë është që të kthejmë pak vëmendjen e opinionit në këtë temë në mënyrë që të kuptohet sa më shumë rreth fatit të tyre, në mënyrë që të rinisin disa hetime dhe që opinioni në përgjithësi të njoftohet me këto raste. Po punojmë në këtë çështje për një kohë, kurse më intensivisht kemi punuar gjatë vitit 2017 dhe planifikojmë që të vazhdojmë edhe këtë vit”, tha Shaboviq.

Ndër gazetarët që konsiderohen si të vrarë, kindapuar apo të zhdukur janë: Afrim Maliqi (gazeta Bujku), Enver Maloku (Qendra Informative e Kosovës QIK, i vrarë më 1999), Shefki Popova (gazeta Rilindja, i vrarë në shtator të vitit 2000), Xhemajl Mustafa (i vrarë në vitin 2000), Bekim Kastrati (gazeta Bota Sot, i vrarë në tetor, 2001), Bardhyl Ajeti (gazeta Bota Sot), Krist Gegaj (Radio Televizioni i Prishtinës – RTP), Shaban Hoti (televizioni rus) Marjan Melonashi (Radio Prishtina, i zhdukur), Gjuro Sllavuj (Radio Prishtina, i zhdukur më 1998), Ranko Pereniq (Radio Prishtina, i zhdukur më 1998), Lubomir Knezeviq (gazetar nga Jedistvo, i zhdukur në maj të vitit 1999), Millo Buleviq (gazetar i pavarur, i zhdukur) Aleksandar Simoviq, (Radio Kosova, i zhdukur në gusht të vitit 1999 – gjurmët e tij janë gjetur një vit më vonë), Momir Stokusha (fotoreporter, i vrarë në shtator, 1999 në Prishtinë).

Shaboviq, thotë se shumë prej lëndëve të këtyre rasteve, nëse hetimi ka filluar, në fillim ishin në kompetencë të misioni të Kombeve të Bashkuara apo UNMIK-ut, e më pastaj në duart e misionit të Bashkimit Evropian – EULEX, kurse sot janë në duart e gjyqësorit të Kosovës. Sipas tij, vullneti dhe dëshira te Prokuroria e Kosovës ekziston që të shtohen përpjekjet në lidhje me hetimet e kahmotshme.

Petrit Çollaku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në vazhdimësi Asociacioni u bën thirrje mekanizmave të drejtësisë që të hetohen dhe të jepet një verdikt për rastet. Ai theksoi se është koha e fundit që familjarët e gazetarëve të vrarë të dinë për fatin e të dashurve të tyre.

“Për kolegët tanë në atë kohë, si para dhe gjatë luftës që janë vrarë, duhet të ketë një verdikt sepse ka kaluar një kohë e gjatë dhe në anën tjetër të dy asociacionet kemi përpiluar një dokument dhe ja kemi dërguar Federatës Evropiane të Gazetarëve, ku kemi kërkuar mbështetjen e tyre që të fillojnë hetimet. Thjesht t’u bëhet presion institucioneve shtetërore që të fillojnë hetimet dhe të inkurajohen njerëzit që të flasin për këto raste”, tha Çollaku.

Ndërkaq, Budimir Neshiq, i cili flet në emër të gazetarëve nga Serbia në Kosovë, thotë se përveç një rasti, atij të vrasjes së Shaban Hotit, të gjitha rastet tjera kanë mbetur të pandriçuara. Sipas tij, nuk dihet nëse po zhvillohen hetime apo jo rreth këtyre rasteve.

“Është e qartë që nuk ka as vullnet e as dëshirë të institucioneve, as atyre të Kosovës e as atyre ndërkombëtare që këto raste të zgjidhen”, theksoi ai.

“Problemi qëndron më tepër te sistemi i sigurisë. UNMIK-u, thënë kushtimisht, zhvilloi hetime sipërfaqësore në fillim, çka vërtetohet edhe në raportin e Komisionit këshillëdhënës të OKB-së për të drejtat e njeriut ku thuhet se në disa raste UNMIK-u, vetëm pas disa viteve i ka hapur dhe pastaj mbyllur hetimet pa marrë në pyetje dëshmitarët eventual”, tha Neshiq.

Një gjendje e tillë, nënvizoi ai, ka sjellë situatën kur tani përgjegjësia hidhet sa te një misionin ndërkombëtar sa te tjetri, përderisa shpreh dyshime se institucionet e Kosovës kanë vullnet për t’i trajtuar këto raste.

Neshiq, bashkë me kolegët e tij të martën për herë të shtatë vendosën pllakën përkujtimore në vendin ku kanë rënë kolegët gazetarë, Gjuro Sllavuj dhe Ranko Pereniq që ndodhet mes Rahovecit dhe Hoçës së Madhe.

Është hera e gjashtë, thotë Neshiq, që dikush e rrënon këtë pllakë dhe fajëson institucionet që nuk po arrijnë të sigurojnë atë dhe as të zbulojnë se kush po e dëmton atë.

Sipas tij, OSBE është një nga organizatat e vetme ndërkombëtare që interesohet për zgjidhjen e këtyre rasteve.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, tha të martën se kjo organizatë do të mbështesë përpjekjet në rritje për të gjetur autorët e krimeve kundër gazetarëve në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme