OVL e UÇK-së: Edhe ne jemi përgjegjës për arrestimin e Haradinajt

Prishtinë | 06 Jan 2017 | 17:21 | Nga

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një komunikate kanë reaguar rreth ndalimit të ish-komandantit Ramush Haradinaj.

OVL e UÇK-së, me këtë rast, i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, Presidentit e Qeverisë, që në unanimitet t’i tregojnë publikisht Serbisë përmasat e krimit që ka kryer në Kosovë.

“Çdo politikan apo shtetar që nuk vepron të paktën tani, nuk e vlen të ketë besimin e popullit”, thuhet në komunikatën e OVL të UÇK-së.

Më poshtë ua sjellim komunikatën e plotë:

Ne, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndihemi përgjegjës për këtë që ka ndodhur me komandantin Ramush Haradinaj, njëkohësisht njëri nga udhëheqësit kryesor të politikës së shtetit të Kosovës, sepse nuk kemi kërkuar që çdo serbi që ka bërë krime në Kosovë, t’i ngritet padi penale dhe të shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Këta janë me qindra e ndoshta mijëra. Dëshmitarë për ta janë gjithë qytetarët e Kosovës, që janë masakruar prej tyre dhe gjithë familjarët e të vrarëve.

Ne, nga ky rast mësuam dhe duke kërkuar falje për mosveprimin e derisotëm, do të fillojmë menjëherë të përpilojmë dosjet përkatëse për akuzë.

I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës, Presidentit e Qeverisë, të bëhen pjesë me ne, në unanimitet t’i tregojmë publikisht Serbisë kriminale përmasat e krimit që ka kryer në Kosovë. Çdo politikan apo shtetar që nuk vepron të paktën tani, nuk e vlen të ketë besimin e popullit.

Publikisht dihet që në Kosovë në vitin 1998 kanë hyrë 63 mijë armë për të armatosur qytetarët serb të Kosovës. Ato armë janë përdorur prej tyre kundër shqiptarëve. Kjo sa shënohet, është vetëm për kriminelët civil. Kur flasim për ushtarakët(ushtri e polici) është llogari në vete.

I kërkojmë Kuvendit të Kosovës, të mblidhet me seriozitet në seancë të veçantë, për ta mbështetur dhe avansuar këtë nismë tonën.

Të ngjashme