Pacolli: Përfaqësimi diplomatik i Kosovës në Kostarikë, i rëndësishëm për prezencën tonë në Amerikën Latine

Prishtinë | 14 Pri 2018 | 13:26 | Nga

Përfaqësimi diplomatik i Republikës së Kosovës në Kostarikë është një rezultat i rëndësishëm i punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm, që t’i ri-hapim dyert e të forcojmë marrëdhëniet me shtetet që e kanë njohur Kosovën, ndërkohë që të lobojmë fuqishëm tek ato jo-njohëse nëpërmjet ndërtimit të miqësive të reja.

Kjo do të mund të arrihej nëpërmjet një prezence të shtuar diplomatike të Kosovës gjithandej nëpër botë dhe me një diplomaci proaktike, gjë e cila edhe po ndodhë.

Kështu e ka vlerësuar kreu i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, akreditimin e Ambasadorës së Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, si Ambasadore jo rezidente edhe në shtetin e Kostarikës.

Ambasadorja Rudi, të premten më 13 Prill, i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit në detyrë të Kostarikës, Helio Fallas Venegas, si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të këtij shteti, Manuel Antonio Gonzalez Sanz.

Kostarika e kishte njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës në ditën e njëjtë që ajo ishte shpallur, më 17 Shkurt, 2008, ndërkohë që marrëdhëniet në mes dy vendeve kanë shënuar ngritje të vazhdueshme që nga atëherë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme