A po shqiptarizohet përfundimisht Maqedonia me marrëveshjen për qeverinë e re?

Prishtinë | 23 Shk 2017 | 15:39 | Nga

Lideri i partisë opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev do ta formojë qeverinë e re, pasi që ka arritur marrëveshje me koalicionin e partive shqiptare dhe i ka pranuar kushtet e tyre.

Pas partisë “BESA” dhe Aleancës për Shqiptarët edhe partia më e madhe shqiptare në Maqedoni, BDI kanë njoftuar zyrtarisht se do të mbështesin Zoran Zaevin.

Kështu që Zaev me mbështetjen e shqiptarëve do të ketë 69 vende në Kuvend, duke e tejkaluar kështu shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh.

Zaev sot ka deklaruar se pret që qeveria e re të formohet në mars, pasi që LSDM-ja e tij ka arritur marrëveshje për të gjitha çështjet me partitë shqiptare.

“Tash duhet të merremi vesh për ndarjen e ministrive dhe platformën e reformave për qeverinë e ardhshme”, ka thënë Zaev në Sarajevë, transmeton Reuters.

“Përmbushja e kërkesave të shqiptarëve është hap i madh drejt krijimit të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe”, vlerësojnë simpatizantët e ish kryeministrit, Nikol Gruevski, i cili me gjithë fitoren e ngushtë në zgjedhje, nuk ka arritur ta formojë qeverinë, pasi që nuk i përmbushi kërkesat e shqiptarëve.

Çfarë kërkuan shqiptarët?

Partitë shqiptare të prira nga BDI, kanë nxjerrë një sërë kërkesash për partitë maqedonase, kurse në mesin e tyre është edhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë, si dhe kantonizimi dhe të drejta më të mëdha për shqiptarët.

Pas realizimit të këtyre kërkesave, do të hapet debati për himnin e Maqedonisë, flamurin dhe stemën, si dhe emri i shtetit, gjë që sipas maqedonasve, Maqedonia edhe zyrtarisht shqiptarizohet, transmeton lajmi.net.

Po ashtu bëhet thirrje edhe për miratimin deklaratës në Kuvendin e Maqedonisë, përmes së cilës dënohet “gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën nga viti 1912 deri në vitin 1956”.

“Këto janë kërkesa që do të nxisin pakënaqësi dhe të cilat do të na dërgojnë në një përleshje ndërmjet veti. Bisedimet tona me BDI-në, i cili ka qenë partner i yni në qeverinë e kaluar, kanë dështuar pikërisht për shkak të insistimit të shqiptarëve që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e vendit tonë”, pati thënë Gruevski pas dështimit të arritjes së marrëveshjes me shqiptarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme