Policia jep informacione shtesë rreth testit me shkrim

Prishtinë | 14 Sht 2018 | 15:35 | Nga

Policia e Kosovës me kohë ka informuar të gjithë aplikantët të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit publik për zyrtar policor dhe njëherit ka ftuar ata që t’i nënshtrohen testimit me shkrim i cili do të mbahet në nivel të Drejtorive Rajonale të Policisë së Kosovës me datat 15 dhe 16 shtator 2018.

Njëkohësisht Policia e Kosovës përmes kësaj shkrese zyrtare njofton kandidatët mbi procesin dhe kriteret e testimit që duhet t’iu përmbahen.

Kandidatët duhet të paraqiten me kohë në lokacionin ku mbahet testimi me shkrim 60 minuta (një orë) para fillimit të testimit.

Kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim duhet të kenë me vete:
1. Numrin e aplikacionit (shih në listat e shpallura),
2. Letërnjoftimin,
3. Lapsi kimik me ngjyrë të kaltër i potencuar për posedim në informacionin e mëhershëm, do t’ju sigurohet nga Policia e Kosovës, andaj nuk lejohet posedimi apo përdorimi i laps (kimikëve) personalë.

Kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim nuk lejohet të posedojnë apo të përdorin pajisje të teknologjisë informative, siç janë telefonat mobilë, kalkulatorë, orë të mençura etj. Çdo tentim i futjes nëpër vendtestime të këtyre pajisjeve teknologjike apo përdorimit të tyre me qëllim tentim kopjimin, do të pasojë me diskualifikim të menjëhershëm nga procesi i testimit. Prandaj, sugjerohen të gjithë aplikantët që i nënshtrohen testit me shkrim që të shmangin posedimin apo përdorimin e këtyre pajisjeve të teknologjisë gjatë procesit të testimit me shkrim, nga fillimi deri në përfundim, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.

Për çdo fazë të testimit rezultatet do të publikohen në faqen e internetit të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe informatat për vendin, datën dhe kohën e mbajtjes së testimit me shkrim e cila tanimë është publikuar në: www.kosovopolice.com

Të ngjashme