Posta emeton pullën postare për Enver Hadrin (Foto)

Prishtinë | 03 Pri 2017 | 14:47 | Nga

Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim pullën postare që i dedikohet heroit Enver Hadri, një prej veprimtarëve më të shquar të çështjes kombëtare.

Enver Hadri ishte një idealist që u sakrifikua për Kosovën.

I përndjekur nga regjimi jugosllav, në vitin 1972 u detyrua ta lëshojë vendlindjen – Pejën – dhe të vendoset në Bruksel të Belgjikës.

Atje punoi pareshtur për informimin e opinionit ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe për kërkesat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Për këtë qëllim, ai u angazhua për botimin e gazetave edhe në gjuhën frënge, emetimin e programeve në radio, takimet me politikanë perëndimorë, etj. Në vitin 1983 themeloi Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, me seli në Bruksel. Hadri mbante kontakte me zyrtarë dhe përfaqësues me ndikim të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Ndër të arriturat e tij është edhe kontributi i drejtpërdrejt për hartimin dhe aprovimin në Parlamentin Evropian të rezolutës së parë dhe të dytë me të cilat denoncohej regjimi jugosllav për shtypjen e shqiptarëve.

Lufta e gjatë politike Enver Hadrit i kushtoi me jetë. U vra më 25 shkurt 1990, në Bruksel, nga shërbimi i fshehtë i regjimi jugosllav.

Për kontributin dhe veprimtarinë patriotike, është dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës” nga presidenti Ibrahim Rugova, në vitin 2006.
Pulla postare kushtuar heroit Enver Hadri është emetuar nga Filatelia e Postës të dielën më 2 prill, në 76 vjetorin e lindjes së tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme