Prej nga rrjedh fjala terrorizëm

Prishtinë | 19 Jan 2017 | 10:00 | Nga

Fjala terrorizëm do te thotë: dhunë e paramenduar ndaj masës jo luftuese me qëllim ndikimin e opinionit publik për te arritur më pas në goditjen e objektivave me natyrë politike, ushtarake apo ideologjike. Për rrjedhojë marrin kuptimet e tyre fjalët terrorist dhe terrorizoj.

Terrorizmi konsiston në kryerjen e një krimi nga një individ, një grup apo nga një shtet. Terrorizmi përdoret për të ngjallur te njerëzit një ndjenjë frike e cila në shumë raste është shumë më e madhe se pasojat e vërteta të aktit.

Këto akte kane dy shënjestra, popullsinë ose dikasteret e rëndësishme të një shteti. Shkaqet e terrorizmit janë politike, për destabilizimin e një shoqërie por edhe për hakmarrje. Qëllime të ndryshme kanë çuar në themelimin e organizatave të ndryshme të cilat më pas nëpërmjet mesazheve të tyre me karakter politik ose fetar ngjallin frikë dhe panik në radhët e popullsisë.

Shumë ide politike janë instrumentalizuar nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre. Si rrjedhojë grupe terroriste eksitojnë në çdo ideologji.

“Terrorizmi” vjen nga fjala franceze “terrorisme”, dhe në fillim i referohej në mënyrë specifike terrorizmit shtetëror siç u praktikua nga qeveria franceze gjatë Mbretërimit të Terrorit 1793-1794. Fjala franceze “terrorisme” nga ana e saj rrjedh nga folja latine “terreō” që do të thotë “frikësoj”.

Terror “cimbricus” ishte një panik dhe gjendja e jashtëzakonshme në Romë në përgjigje të afrimit së luftëtarëve të fisit Cimbri në 105 para Krishtit. Jakobinët e përdorën këtë precedent, kur vendosën një regjim terrori gjatë Revolucionit Francez.

Pas humbjes së pushtetit nga Jakobinët, fjala “terrorist” u bë një term i abuzimit. Edhe pse “terrorizmi” fillimisht i referohej akteve kryer nga një qeveri, aktualisht ajo zakonisht i referohet vrasjes së njerëzve të pafajshëm për qëllime politike në mënyrë të tillë që të krijojë një spektakël mediatik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme