Protestojnë gazetarët, Kajtazi thotë se sulmi ndaj tij është i lidhur me politikën

Prishtinë | 14 Tet 2017 | 12:26 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka protestuar në mbrojtje të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve. Kjo protestë vjen një ditë pas sulmit fizik që iu bë kryeredaktorit të portalit Insajderi, Vehbi Kajtazi.

Kajtazi tha se sulmuesit e gazetarëve janë njerëz të politikës që po mundohen t’i ndalojnë ata që raportojnë, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, sulmi është kryer nga njerëz për të cilët ai ka shkruar një varg shkrimesh. Por tha se nuk do të ndalet të shkruaj për ata që e sulmuan kushdo qofshin ata.

“Ky presion i vazhdueshëm po rritet, e që deri tani dihet se sulmuesit nuk janë njerëz të thjeshtë, por janë njerëz që janë të lidhur me politikën”.

“Sulmi i fundit ka ndodhur për shkak të punës sime, pas një seri shkrimesh që kam pasur javën e kaluar, sepse personazhi është i lidhur direkt me ato. Fatmirësisht ai është identifikuar dhe shpresoj se së shpejti do të dalë para drejtësisë”, tha Kajtazi.

Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, tha se sulmet ndaj gazetarëve dhe fjalës së lirë në Kosovë janë shumë të shpeshta.

Ai tha se drejtësia ka dështuar të sjellë para drejtësisë sulmuesit e gazetarëve dhe se Kryeprokurori duhet të bëjë me shumë për nxjerrjen para drejtësisë gjithë ata që sulmojnë gazetarët.

“Kërkojmë nga të gjitha institucionet e Kosovës që të mendojnë seriozisht për sigurinë e gazetarëve në këtë vend, për garantim të lirisë së shprehjes”, tha Hysenaj.

Ai shtoi se vetëm në këta muajt e fundit ka pasur 19 raste që janë raportuar në polici që lidhen më këtë dukuri.

Kajtazi u sulmua fizikisht në një nga lokalet në Prishtinë. Për sulmin ndaj tij Policia arrestoi Faton Ramadanin, pjesëtar i familjes Kiçina. Policia ka intervistuar dhe disa persona të tjerë që ishin me të në tavolinë.

Të ngjashme