Qeveria premton përmirësimin e gjendjes së ashkalinjve

Prishtinë | 20 Shk 2018 | 14:54 | Nga Mehmet Krasniqi

Me rastin e Ditës së Komunitetit Ashkali, Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka organizuar një konferencë ceremoniale. Në këtë ngjarje, kryeministri Ramush Haradinaj premtoi se do të punojnë për të përmirësuar gjendjen e komunitetit ashkali, raporton Ekonomia Online.

“Dita e komunitetit ashkali shënohet qe 15 vite në Kosovë. Ky komunitet është pjesë e Kosovës. Jemi së bashku sot, ndihem i nderuar që të shpreh urime për 15 shkurtin. Ju falënderoj për angazhimin tuaj të sinqert. Të punojmë për të përmirësuar gjendjen e komunitetit”, tha Haradinaj.

Dalibor Jevtiç, zëvendëskryeministër dhe ministër për Komunitete dhe Kthim, tha se ky komunitet jeton në kushte të vështira dhe se duhet të punohet që jeta e tyre të përmirësohet.

“I uroj ashkalinjtë për ditën e tyre. Komuniteti ashkali jeton në kushte të vështira dhe ka punë që duhet bërë që jeta e tyre të përmirësohet. Zhvillimi ekonomik do të përmirësoj jetën e komunitetit. Duhet të kemi respekt të ndërsjellë që shoqërinë ta bëjmë më kualitative dhe kjo të jetë përparësi në shoqëri. Ministria për kthim është që të ndihmojë në çështje thelbësore komunitetin”, tha Jevtiç.

Ndësa Mustafë Myrtaj, zëvendësministër i Arsimit, tha se për komunitetet në përgjithësi por edhe për ashkalinjtë ofrohen lehtësira në sistemin arsimor.

“MASHT është përkushtuar për arsim cilësor për komunitët në gjuhën e tyre. Komunitetet janë të integruar në sistemin e arsimit, mësimi zhvillohet në 4 gjuhë. Komuniteti ashkali zhvillon mësimin në gjuhën shqipe. Ofrohen lehtësime për regjistrime në shkolla profesionale pavarësisht rezultateve në testin e maturës. Janë ndarë 248 bursa për nxënësit ashkalinjë. Ne ofrojmë lehtësira edhe në regjistrim në fakultet”, tha Myrtaj.

Deputeti nga radhët e komunitetit ashkalinjë, Danush Ademi, tha se papunësia dhe situata në arsim janë disa nga shqetësimet e tyre.

“Gjatë kësaj qeverie komuniteti është përfshirë bukur mirë. Njëra nga brengat tona është arsimi. Po marrim mbështetje nga ministria por janë te pamjaftueshme. Papunësia po na shkakton probleme në arsim”.

Në fund të konferencës Haradinajt i dhuruanë një flamur të komunitetit ashkali.

Të ngjashme