Qytetarët: Rezultati i zgjedhjeve, i pritshëm

Prishtinë | 12 Qer 2017 | 13:41 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qytetarët e Prishtinës rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën dje, e vlerësojnë si të natyrshëm, mirëpo që nuk presin shumë as nga qeveria e ardhshme.

Qytetari Rexhep Abazi, ka thënë për Ekonomia Online se pavarësisht rezultateve njerëzit mbesin po ata që kanë qenë edhe në mandatet e kaluara.

“Këtu nuk ka asnjë ndryshim, është një këngë e cila thotë ‘Kënga e re por avazi i vjetër’, vetëm është bërë njëfarë lloje botëkuptimi ndaj popullatës se kinse po punohet për ndryshimin po këtu nuk ka asnjë ndryshim”, ka thënë Rexhep Abazi.

Për qytetarin Naser Canolli rezultati që ka dalur ka qenë i pritshëm.

Ai ka thënë për Ekonomia Online se asnjë nga politikanët nuk ka punuar mjaftueshëm për rezultatin të cilin e kanë dëshiruar.

“Rezultati ka qenë i pritshëm pak a shumë ka qenë ky i cili doli, që për politikanët nuk do jetë rezultati ashtu siç e kanë menduar ata. Pak a shumë ka qenë i ditur, por më befasuesja ka qenë Vetëvendosja që ka arritur me fitua bajagi një numër të madh të votuesve, dhe pavarësisht rezultatin fitues për mua është Vetëvendosja, sepse ka qenë parti e vetme, pas askënd dhe ato kanë qenë koalicion dhe këta arritën me i rrëzua në një far forme”, ka thënë Canolli.

Sabri Berisha, një qytetar tjetër, vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dashur të jetë në vendin e parë.

Megjithatë, shprehet i kënaqur edhe me rezultatin që kjo parti e shënoi.

“Veç fatkeqësi që Vetëvendosje nuk doli e para ajo, nëse ajo ish dal e para shteti ish shkua përpara. Favorit prapë ajo mbetet, i shkeli koalicionin e LDK-së me AKR e Alternativën, plus gati 30% të votave si parti e vetme,nuk janë pak”, ka thënë.

Kurse Lule Krasniqi, duket se nuk ka ndonjë preferencë politike, përveç që kërkon që qeveria e ardhshme të formohet nga njerëzit e duhur, kushdo qofshin ata.

“Është një pakënaqësi në përgjithësi e popullatës me papunësi në përgjithësi të rinisë, kryejnë fakultete, diplomojnë, mastera, e punojnë si kamerierë, por besa edhe na që punojmë nuk jemi të kënaqur me ato që i gëzojmë. Kështu në bazë të lajmeve që i dëgjova 41% e pjesëmarrjes në zgjedhje është e kënaqshme, dhe formimi i qeverisë uroj të bëhet nga njerëzit e duhur e që punojmë për vendin”, ka thënë Lule Krasniqi.

Nga rezultatet e nxjerra nga KQZ, koalicioni PAN, ka dalur me 34.42% të votave Lëvizja Vetëvendosje e dyta me 26.87% dhe koalicioni i LAA-s me 25.79% të votave.

Të ngjashme