Rama në Marok: Me njohjen e Kosovës, Serbia bën një hap të madh

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 18:16 | Nga

Në krah të homologes së tij serbe, Ana Brnabiq, Kryeministri Edi Rama tha se duke njohur Kosovën, Serbia do të bëjë një hap të madh përpara, duke u lehtësuar kësisoj edhe nga barra e së kaluarës.

“Kosova është sot një Republikë. Është aty dhe funksionon si një shtet i pavarur, sovran, me institucionet e tij, dhe jam shumë i lumtur ta them, me një model shumë të admirueshëm respekti për minoritetet, para së gjithash për minoritetin serb, i cili ka përfaqësi në parlament, në qeveri. Bindja ime është, ka qenë gjithmonë dhe mbetet që, duke njohur Kosovën, Serbia do të bëjë një hap të madh përpara dhe do të lehtësohet nga një barrë e së kaluarës, e cila është pengesë për të parë drejt së ardhmes më e lehtësuar”, deklaroi ai.

Nga Maroku, në Konferencën Globale të Politikave Botërore dhe në panelin me temë “E ardhmja e Europës Jug-lindore”, Rama foli për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të ndërsjelltë si rrugën më të mirë drejt integrimit europian.

“Gjendemi në një moment të ndryshëm historik, krahasuar me fazën e zgjerimit të shpejtë të fillimit. Tashmë përballemi me nevojën për të kompletuar procesin e nisur. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerim, por për përfundimin e këtij procesi. Mbi të gjitha, qëndron nevoja strategjike e Europës për të mos lënë Ballkanin si një zonë gri, ku aktorë të tjerë mund të fusin duart dhe të promovojnë axhendat e tyre, duke nxitur konflikte të mundshme”, tha Rama.

Ballkani i sotëm, sipas kreut të qeverisë shqiptare është pozicionuar qartë pro BE-së dhe për këtë perspektivë po punon fort.

“Ajo që po bëjmë sot në rajon nuk po ndodh sepse jemi të ndryshëm nga paraardhësit tanë që bënë luftëra. Kjo po ndodh sepse në këtë rajon ka një ndjenjë të fortë pro-europiane. Ky rajon është vendi i duhur për të kuptuar se sa është tërheqëse Europa për njerëz që dinë se çfarë është lufta, që e kanë parë atë dhe e dinë se sa keq gjërat mund të shkojnë prej saj, ndaj ritheksoj edhe një herë faktin që edhe procesi i integrimit do të ndihmojë në zbutjen e këtyre pakënaqësive dhe mosmarrëveshjeve”, u shpreh Kryeministri

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme