Rektori dhe Sekretari i UP-së nuk përfillin vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit

Prishtinë | 17 Gus 2018 | 10:50 | Nga

Universiteti i Prishtinës me 27 prill të këtij viti ka shpallur konkurs për Administratën e UP-së, për disa pozita të lira për punësim, por i njëjti ndonëse është dashur të përfundojë me 15 korrik, ai vazhdon të jetë ende i papërfunduar.

Për këtë, Këshilli Drejtues i UP-së obligon me vendim që konkursi të përfundojë në datën e paraparë, sipas vendimit.

Rektori, Marjan Dema dhe sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi po dalin të jenë personat kompetent të cilët nuk e përfillin vendimin e Keshillit Drejtues të Universitetit, shkruan Indeksonline.

Indeksonline mëson se disa kandidatë janë thirrur për t’iu nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës, mirëpo ende s’ka asnjë përzgjedhje të tyre, derisa Këshilli Drejtues me vendim përcakton afate të caktuara.

Dy kandidate që kanë aplikuar në këtë konkurs të UP-së, në kushte anonimiteti kanë thënë për Indeksonline se kanë paralajmëruar ankesë për shkak të dyshimeve në pyetjet e testeve dhe në procedurat e vlerësimit.

Madje, të njëjtat kanë paralajmëruar edhe kallëzim penal në prokurorinë kompetente lidhur me këtë rast.

Lidhur me këtë çështje, Portali Indeksonline ka dërguar disa pyetje në adresë të Rektorit dhe gjithashtu Sekretarit të UP-së, mirëpo të njëjtit nuk kanë dashur të japin përgjigje.
Gjithashtu, Indeksonline ka adresuar pyetje edhe te Kryetarja e Këshillit Drejtues, Ardiana Bunjaku, mirëpo as kjo nuk ka qenë e qasshme.

Indeksonline ka provuar të marr një qëndrim edhe nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, përmes, Shkemb Manaj.
Por, as ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Më poshtë Indeksonline ua sjellë disa fotografi të konkursit dhe vendimit të Këshillit Drejtues për Administratën në UP, për trembëdhjetë (13) pozita të lira.

Të ngjashme