Respektohet festa, jo Kushtetuta

Prishtinë | 11 Pri 2017 | 09:50 | Nga

Përvjetori i Kushtetutës së Kosovës u ka siguruar kosovarëve që punojnë në institucionet shtetërore edhe të hënën pushim, përveç pushimit të fundjavës.

Kjo ditë pushimi si shenjë feste nuk është përjetuar njësoj nga një pjesë tjetër e kosovarëve.

Pavarësisht se kjo Kushtetutë ka hyrë në fuqi para 9 vjetëve, qytetarët ankohen se e ajo nuk po respektohet plotësisht. Sipas tyre, institucionet po e respektojnë vetëm festën, por jo edhe Kushtetutën, shkruan gazeta “Zëri”.

Behxhet Zeka, nga fshati Metergovc i Podujevës, thotë se Dita e Kushtetutës ishte e diel e për të hënën ai nuk e di pse ishte dashur të jetë ditë pushimi.

Ai thotë se Kushtetuta drejton të gjitha ligjet dhe megjithëkëtë, sipas tij, pushtetarët po mundohen deri diku ta përfillin Kushtetutën.

“Edhe ne qytetarët duhet ta përfillim Kushtetutën, të bëhemi më të zëshëm dhe në përgjithësi të rregullohet mirëqenia jonë”. Zeka tregon se nuk punon dhe se nuk ka pasur asnjë punë me pagë që nga paslufta.

Por, siguron ekzistencën e tij duke shitur dru.“Kurrë në punë nuk kam qenë, por mundohemi të mbesim gjallë kështu”, thotë ai derisa rrëfen se nga shitja e druve sigurojnë ekzistencën më mirë gjatë dimrit kur ka shitje të druve dhe shumë pak gjatë verës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme