Sa janë gjasat që vizat të hiqen më 2017?

Prishtinë | 11 Dhj 2016 | 21:04 | Nga

Muaji dhjetor, shihet si afati i fundit kur autoritetet e Kosovës do të duhej t’i plotësonin kriteret e parapara nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.

Derisa vazhdojnë akuzat mes Qeverisë dhe opozitës rreth fajtorit për humbjen e hapit për liberalizimin e vizave gjatë vitit 2016, po afrohet edhe afati i fundit kur heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të rrezikohet edhe për vitin 2017.

Këtë fakt, e pranojnë si në Qeverinë e Kosovës, ashtu edhe në taborin opozitar.

Muaji dhjetor, shihet si afati i fundit kur autoritetet e Kosovës do të duhej t’i plotësonin kriteret e parapara nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave. Por, aktualisht, nuk shihet se ka një rrugëzgjidhje në Prishtinë.

Duke prezantuar pozicionin e qeverisë, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është opozita ajo që po e bllokon ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, me çka, sipas tij, po pamundësohet që Kosova ta plotësojë edhe kushtin e fundit për heqjen e vizave.

“Kryeministri Mustafa dhe Qeveria e Kosovës në vazhdimësi, qe një vit e gjysmë, i kanë bërë ftesë opozitës që të ulemi dhe ta bisedojmë këtë çështje. Megjithatë, opozita në vazhdimësi ka qenë refuzuese, sepse qëllimi kryesor i tyre që nga fillimi ka qenë përmbysja e pushtetit me dhunë”.

“Jo vetëm ne, por edhe bashkësia ndërkombëtare, siç ishte rasti edhe me ambasadorin gjerman, Ernst Reichel, i cili tha këto ditë se fajin për liberalizimin e vizave e mbajnë ata që nuk e ratifikojnë demarkacionin”, ka deklaruar Gecaj.

Sipas Bajram Gecajt, liberalizimi do të duhej të shihej nga opozita si një interes madhor dhe jo vetëm si qëllim politik për rrëzimin e qeverisë. Në këtë funksion, ai thotë se ishte edhe ftesa e fundit publike që kryeministri Mustafa ia adresoi opozitës për formimin e një komisioni, i cili do të bënte matjen e territorit të Kosovës për të vërtetuar nëse me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur territor, siç pretendon opozita.

Në anën tjetër, nga opozita thuhet e kundërta, duke ia veshur gjithë fajin qeverisë, për siç thuhet, marrëveshje të dëmshme me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Si e tillë, kjo marrëveshje, për opozitën konsiderohet e papranueshme.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Isa Mustafa në asnjë rast nuk ka prezantuar ndonjë nismë serioze për tejkalimin e krizës.

“Gjendja faktike është se është kontestuar marrëveshja me Malin e Zi. Nuk është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe ideja për ta matur territorin është njëfarë tallje, për arsye se nuk mund të matet territori i një vendi nëse më parë nuk janë caktuar kufijtë. Ne nuk kemi kufij të caktuar as me Serbinë, as me Malin e Zi dhe kjo në fakt është një situatë e pamundur”, ka thënë Nitaj.

Ndërkohë, sipas Bajram Gecajt, nëse marrëveshja për Demarkacionin nuk ratifikohet gjatë dhjetorit, atëherë heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të rrezikohet seriozisht për vitin 2017.

“Unë besoj që hapi i fundit është këtë muaj. Gjithsesi duhet që këtë muaj ta kemi ratifikimin e asaj marrëveshjeje. Nëse nuk do të ndodhë kjo dhe do të kalojmë në vitin e ardhshëm, nuk po them që jo, por rreziqet janë shumë të mëdha që vërtet më askush në Evropë për një kohë të mos merret me çështjen e liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Gecaj.

Krejt ndryshe nga Gecaj mendon Muharrem Nitaj. Ai ka thënë se nuk duhet të diskutohet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, e cila sipas tij është e dëmshme, por anulimi i saj dhe fillimi i një procesi të ri të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

“Nuk po besoj që mund të flitet për zgjidhje të shpejta. Qeveria e Kosovës është vonuar shumë. Zgjidhja është rrëzimi në Kuvendi i kësaj marrëveshje, e cila nuk i ka votat e mjaftueshme dhe më pastaj adresimi i çështjes sipas procedurave dhe normave që janë të njohura edhe nga vendet tjera. Do të duhej të hapej, procesi dhe negociatat me Malin e Zi”, ka theksuar Nitaj.

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, njëkohësisht raportuese për Kosovën, Ulrike Lunacek, u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që urgjentisht të përmbushin dy kriteret e mbetura për liberalizim të vizave.

Dy kriteret e mbetura janë ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe prezantimi i rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme