Asambleja e NATO-s mbledh në Prishtinë mbi 100 pjesëmarrës

Prishtinë | 22 Tet 2016 | 14:15 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asambleja Parlamentare e NATO-s në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe me përkrahjen e Qeverisë Zvicerane, sot në Prishtinë filloi seminarin e 93-të “Rose-Rothe”, në të cilin po marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, rreth 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në sesionin e parë të këtij seminari, ku tema kryesore ishte “Vlerësimi dhe konfirmimi i perspektivës Euro-Atlantike të Kosovës”, fjalën e hapjes e bëri nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, Xhavit Haliti. Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe angazhimin e NATO-s në Kosovë, Haliti tha se “seminari u përcjell gjithë vendeve të Ballkanit, anëtarëve të NATO-s dhe të BE-së mesazhin se stabiliteti në Kosovë nuk është vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.”
Seminari treditor i është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe me përkrahjen e qeverisë zvicerane.

Duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e secilit shtet anëtar të NATO-s për ruajtjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, nënkryetari Haliti tha se organizimi i mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, përcjell për jetën politike në Kosovë disa mesazhe qartësisht të kuptueshme, se: Asambleja Parlamentare e NATO-s ka në vëmendje raportin aktual me shtetin e Kosovës dhe synon të nxisë dhe të rrisë mundësitë për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ajo vlerëson rolin, ecurinë dhe rëndësinë e politikës rajonale të Kosovës si promovuese e paqes dhe bashkëpunimit në rajon, si dhe u përcjell gjithë vendeve të Ballkanit, anëtarëve të NATO-s dhe të BE-së, mesazhin se qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës nuk është vetëm e nevojshme, por është e domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Haliti tha se bashkëpunimi i Kosovës me NATO-n do të thellohet edhe më tej në të ardhmen, deri në anëtarësimin e plotë në këtë organizatë dominuese të sigurisë globale.

“Përkushtimi dhe përpjekjet e gjithanshme të Kosovës për anëtarësim në NATO, janë të vazhdueshme e të domosdoshme, ndaj sundohen nga serioziteti dhe sinqeriteti”.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, në fjalën e tij, vlerësoi se ndihma e Zvicrës për Kosovën shkon përtej këtij seminari. Ai tha se stabiliteti dhe siguria mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit.

“Shpresoj dhe uroj që me anë të shkëmbimeve dhe prezantimeve, do të fitohen pikëpamje të reja për tejkalimin e sfidave në rajon. Ky seminar ka një rëndësi edhe për njerëzit në këtë vend”, theksoi Jean-Hubert Lebet.

Paolo Alli, nënkryetar i AP-së së NATO-s, theksoi se Asambleja e NATO-s ka mbajtur shumë seminare, por këtë të sotmin e konsideroi historik.

“Unë besoj që ky seminar do të ndikojë në fuqizimin e arritjeve të ndërtimit të një klime politike të mirë në Kosovë. Asambleja jonë vazhdon të jetë e hapur për shumë sfida. Parimet demokratike duhet të mbizotërojnë, rendi dhe ligji duhet të respektohen”, theksoi nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ai shtoi se e ardhmja e Kosovës është në integrimin euroatlantik, pasi Kosova është stabile, edhe pse ka sfida.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, foli për angazhimet konkrete të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e një shoqërie tolerante dhe demokratike, si dhe ngritjen e gjitha kapaciteteve dhe arritjen e standardeve të sigurisë.

Pasi konfirmoi orientimin e qartë euro-atlantik të Kosovës dhe aspiratat për integrim sa më të shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian, kryeparlamentari Veseli theksoi se dallimet etnike Kosova i konsideron pasuri dhe në asnjë mënyrë rrezik për të ardhmen evropiane të saj. Ai theksoi se siguria rajonale nuk cenohet vetëm nga mbetjet e së kaluarës apo nga stagnimi ekonomik, por edhe nga kërcënimet globale, sikurse është terrorizmi ndërkombëtar. Ai tha se Kosova fuqishëm në krah të koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, ndërsa ka marrë masa të rëndësishme, përfshirë edhe ato legjislative, në fushën e luftimit të këtij kërcënimi global.

Në vazhdim, Veseli tha se Kosova ka arritur përparime në fushën e krijimit të kapaciteteve të sigurisë në nivelin e brendshëm, përderisa është e gatshme të marrë edhe përgjegjësinë e sfidave
globale të sigurisë.

“Vendimi që presim të marrin më Kuvendin e Republikës së Kosovës, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, do të jetë edhe një shtytje më pozitive në këtë drejtim”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Duke folur rreth vlerësimit të perspektivës evropiane të Kosovës, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh Përfaqësuese Special e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se BE-ja nuk është duke shpikur kushte vetëm që Kosovën ta mbajë larg nga familja evropiane. Ajo tha se prioritetet përcaktohen sipas vendit dhe në Kosovë do të jenë sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, ndërtimi i institucioneve të drejta dhe të fuqishme.

“Kosova duhet ta ndihmojë vetveten, duke pasur storie pozitive që do t’i ndihmojë në përmirësimin e imazhit të saj jashtë”, tha Apostolova.

Duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ajo tha se sundimi i ligjit është fjala magjike dhe në thelb të kësaj marrëveshjeje.

“Procesi i Stabilizim-Asociimit është prioritet i yni politik e ekonomik, i cili shërben si bazë për procesin e aderimit. Kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në prill dhe tash gjëja më e rëndësishme është zbatimi. Nëse kjo bëhet, Kosova do të ketë impakt shumë pozitiv në qytetarët e saj”, tha Apostolova.

Pas fjalëve hyrëse dhe përgjigjeve të panelistëve nga pyetjet e të pranishmëve, seminari vazhdoi punimet me sesionin e parë, në të cilin u diskutua për procesin e reformave në Kosovë, zhvillimet aktuale politike, në mënyrë të veçantë, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe sfidat e brendshme politike, sundimin e ligjit, reformat në administratën publike, si dhe të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve.

Sesioni u moderua nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, e cila falënderoi veç e veç të gjitha delegacionet parlamentare për pjesëmarrjen e tyre në këtë seminar.

Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, tha se qëllimi i këtij misioni nuk është që të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë. Ajo tha se reduktimi i EULEX-it është fakt i cili flet për përmirësim të institucioneve të Kosovës. Papadopoulou shtoi se EULEX-i nuk është këtu për të zëvendësuar institucionet e Kosovës, por është mbështetës i tyre. Bërthama e mandatit të këtij misioni është e njëjta, shtoi ajo, por shtrirja e tij do të jetë me e ngushtë.

Duke folur për rritjen e efikasitetit të institucioneve të Kosovës, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean Braathu, tha se institucionet e Kosovës janë të reja dhe ndërtimi i tyre merr kohë, i cili, sipas tij, është edhe thelbi i mandatit të OSBE-së. Ai tha se OSBE-ja ka ndihmuar edhe Kuvendin, ndërsa tani është duke punuar për fuqizimin e grupeve parlamentare jo shumicë, por edhe për gratë deputete dhe rolin e tyre.

“OSBE-ja ka përkrahur edhe ndërtimin e institucioneve të drejtësisë. Jemi të angazhuar edhe për institucionet gjyqësore në veri. Por mbeten ende shumë sfida”, theksoi Braathu. Ai tha se në vend që të importohen praktika nga vende tjera, gjëja më e mirë është që të gjinden forma që do t’i përshtateshin më së miri Kosovës. Format demokratike, shtoi ambasadori Braathu, nuk do të jenë të qëndrueshme nëse nuk burojnë nga shoqëria.

Ariana Qosaj – Mustafa, drejtoreshë e programit dhe hulumtuese e lartë, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), gjatë fjalës së saj, u fokusua te sfidat e brendshme politike në Kosovë. Ajo tha se Kosova sapo ka dalë nga një seri e përleshjeve e ndasive që kanë shkaktuar ngecje në procese të rëndësishme. Ajo përmendi një varg vështirësish të cilat i kanë përcjellë zhvillimet politike në Kosovë gjatë viteve të fundit.

Pas diskutimeve, pjesëmarrësit shtruan pyetje në adresë të panelistëve.

Ky seminar do të vazhdojë deri më 24 tetor, ku do të diskutohet për perspektivën e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rolin evolues të NATO-s në rajon, që pason Samitin e Aleatëve të Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë. Seminari “Rose Roth”, i cili organizohet që nga viti 1991, më parë është organizuar edhe në vende tjera të Ballkanit, si në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Malin e Zi, Turqi, Shqipëri, Kroaci, por kjo është hera e parë e organizimit të tij në Kosovë.

Të ngjashme