Serri: Gazetarët janë shtylla e një shoqërie demokratike në Kosovë

Prishtinë | 19 Qer 2018 | 12:07 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), me mbështetjen financiare të Zyrës së BE-së në Kosovë, ka organizuar një tryezë diskutimi me gazetarë të komuniteteve të Kosovës, në të cilën u diskutua për bashkëpunimin mes gazetarëve të komuniteteve të ndryshme.

Riccardo Serri, nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se është i rëndësishëm bashkëpunimi i gazetarëve nga komunitetet e ndryshme, raporton Ekonomia Online.

“Është me rëndësi roli i Bashkimit Evropian në këtë projekt. Kemi bërë vitin e kaluar një projekt që ka qenë i bazuar në parimet e njëjta, d.m.th. të mbledhim së bashku gazetarë nga media e gjuhë të ndryshme t’i bashkojmë e të flasin për problemet e komunitetit të tyre. Mund të demonstrojmë përmes këtij projekti që gazetarët janë shtylla e një shoqërie demokratike në Kosovë. Nga perspektiva e Bashkimit Evropian është me rëndësi të koncentrohemi në shprehjen e lirë. Duhet të raportoni paanshëm”.

Petrit Çollaku, drejtor ekzekutiv në AGK, tha se bashkëpunimi me asociacionet e gazetarëve në rajon është përmirësuar dukshëm.

“Çfarë kemi të përbashkët me kolegët e tjerë të rajonit është se kanë telashet e njëjta. Sot po vërehet se mediat që respektojnë etikën janë cak i vazhdueshëm i sulmeve nga qeveritë, nga grupet e caktuara të interesit. Ne jemi një ushtri e madhe që mund të luftojmë dukuritë negative. Është bërë një porosi e qartë për të gjitha qeveritë që sulmet ndaj gazetarëve nuk do të lejohen”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë tashmë ka caktuar një koordinator që do të merret me rastin e gazetarëve. Përveç gjykatës, së shpejti do të bëhet edhe një memorandum bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, ku do të shqyrtohen rastet e gazetarëve të kërcënuar”.

Sanja Sovrilic, gazetare, tha se situata në përgjithësi në gazetari është e njëjta, raporton EO.

“Shoqëritë tona janë ashtu siç janë dhe gazetaria shpesh merr një anë. Po të kishim media më të mira nuk do të kishim probleme. Kemi njerëz që bëjnë punë profesionale por zëri i tyre nuk arrin ku duhet. Nuk jam optimiste që shumë gjëra do të ndryshojnë. Pajtimi si temë nuk është pjesë e agjendës ditore. Pajtimi duhet të jetë pjesë e agjendës, por kjo nuk duhet të jetë temë e parimeve individuale”.

Rabisha Muhaxhiri, redaktore në RTK, tha se RTK-ja nuk i ka problemet që mediat tjera i kanë dhe mundohet të ketë diversitet gjuhësor brenda mediumit.

“Të flasësh 19 vjet pas luftës për diversitet gjuhësor është diçka që duhet t’ia lëmë edhe vetes fajin. Shoqëria është demokratike aq sa ka diversitet gjuhësor. RTK-ja ka pasë sfida por është transmetues publik, por që nga themelimi i saj nuk i ka ikur obligimit ndaj qytetarëve të secilit komunitet. Ne si transmetues publik me të gjitha të metat që i kemi, jemi munduar që hapësira të jetë adekuate me të gjitha ligjet që ka Kushtetuta e Kosovës”.

Të ngjashme