Shala: Vdekja e Kelmendit humbje e madhe për kulturën dhe letrat shqipe

Prishtinë | 12 Jan 2017 | 10:35 | Nga

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Kelmendi për vdekjen e shkrimtarit dhe gazetarit, Ramiz Kelmendi.

Në telegram ngushëllimi thuhet se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është një humbje e rëndë jo vetëm për familjen, por edhe për kulturën dhe për letrat shqipe.

Telegram ngushëllimi i ministrit Shala:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj, të shkrimtarit dhe të gazetarit tonë të respektuar, Ramiz Kelmendit.

Ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është një humbje e rëndë jo vetëm për ju, por edhe për kulturën dhe për letrat shqipe.

Shkrimtari i njohur, Ramiz Kelmendi, me një sërë veprash të zhanreve të ndryshme, si: letrare, gazetareske e publicistike, është një nga themeluesit e jetës letrare e kulturore të Kosovës.

Ai, me krijimtarinë e tij, ishte përkushtuar, siç thoshte vetë, të shkruante për jetën.

Ramiz Kelmendi është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Kosovës, si autor që me durim ndoqi jetën e shqiptarëve të Kosovës në shekullin e tij.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën e tij të çmuar letrare. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të shkrimtarit Ramiz Kelmendi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme