Shënohet Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve, Kosova me kushte të mira për ta

Prishtinë | 20 Qer 2018 | 17:04 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR misioni në Kosovë dhe organizata “Play International” ka shënuar Ditën Botërore të Refugjatëve.

Ana Larderet, shefe e emisionit Play International, tha se ky aktivitet ka për qëllim të solidarizojë shoqërinë me refugjatët, raporton Ekonomia Online.

“Ky aktivitet mbahet në tërë botën sot në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve. Që nga viti 2001 është shpallur Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve. Ky aktivitet ka për qëllim solidarizimin e shoqërisë për refugjatët në tërë botën”, tha ajo.

Narasimha Raho, shef i misionit të UNHCR në Kosovë tha se kosovarët jo larg e kanë përjetuar të jenë refugjatë dhe në këtë mënyrë të gjithë refugjatët kanë nevojë për përkrahje.

“Ju jeni me fat që jetoni në një vend të lirë, janë shumë djem e vajza si ju që jetojnë jashtë shteteve të tyre. Ju mund të shkoni në shkolla, por ka shumë refugjatë në botë që nuk mund të shkojnë në shkollë. Çdo dy sekonda një person zhvendoset nga shtëpia e tij. Në dy vitet e fundit kemi parë shumë persona që janë zhvendosur dhe kanë kaluar nëpër shtetet e Ballkanit. Sot e shënojmë ditën e refugjatëve në mënyrë që të shprehim solidaritetin tonë me refugjatët. Kosovarët e dinë se çfarë është të zhvendosemi nga vendi i tyre”.

Zv.ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë çdo gjë që është e mundur sa u përket refugjatëve, raporton EO.

“Kjo ngjarje na kthen në vitin 1998 dhe askush më mirë se ne nuk e di se çfarë është të jesh refugjat. Andaj ju të dashur fëmijë që po rriteni në Kosovën e lirë duhet të bëni përpjekje që t’i ndihmoni ata që kanë nevojë. Ne kemi 45 refugjatë dhe po mundohemi t’iu ofrojmë të gjitha kushtet. Ne si shtet i ri dhe institucione të reja kemi krijuar kushte të mira për refugjatë. Ne si krijesa njerëzore duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha ai.

Të ngjashme