Shënohet Dita Ndërkombëtare Pa Makina, MMPH-ja premton përkrahje për shtimin e hapësirave të gjelbra

Prishtinë | 22 Sht 2018 | 10:40 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bashkë me Komunën e Prishtinës, OJQ-të “Let’s do it Kosova”, “REC”, “GAC” dhe SHFMU “Shkolla e Gjelbër” shënojnë 22 Shtatorin – Ditën Ndërkombëtare pa Makina me disa aktivitete.

Sevdije Lama, këshilltare në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tregoi se kjo ministri përkrah gjithmonë aktivitetet që synojnë sensibilizimin e qytetarëve që makinat t’i zëvendësojnë me biçikleta apo me mjete tjera jo të dëmshme për mjedisin, raporton Ekonomia Online.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është përkrahëse e aktiviteteve të tilla që synojnë sensibilizimin e qytetarëve që të paktën një ditë t’i lënë makinat e tyre që emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit, dhe t’i zëvendësojnë ato me biçikleta apo me mjete më miqësore për mjedisin”.

“Aktiviteti i sotëm në kuadër edhe të fushatës tremujore “Ta pastrojmë Kosovën”, pjesëmarrja aktive e qytetarëve në përmirësimin e gjendjes së mjedisit është indikator që tashmë mjedisi dhe mbrojtja e tij janë prioritet i qeverisë dhe shoqërisë”.

Lama bëri të ditur se për vitin 2019 MMPH-ja do të përkrahë projekte për shtimin e hapësirave  të gjelbra, raporton EO.

“Ministria e Mjedisit edhe për vitin e ardhshëm buxhetor 2019 do të përkrahë projekte për shtimin e hapësirave të gjelbra si dhe mirëpresim dhe përkrahim projektet e Komunës së Prishtinës për krijimin e shtigjeve të reja për biçikleta”.

Drejtoresha e shkollës “Shkolla e Gjelbër”, Fahrije Retkoceri, ka treguar për shkollën të cilën e drejton dhe ka ftuar që të gjithë njerëzit të kontribojnë në mirëqenien e njeriut.

“Shkolla e Gjelbër është unike, jo vetëm për vendin tonë, por edhe rajonin e gjerë. Atë e bën të veçantë duke filluar nga trajtimi i përgjithshëm, nga koncepti arkitektonik, përdorimi infrastrukturës dhe përzgjedhja e materialeve të gjelbra si dhe sistemi i ngrohjes dhe ftohjes gjeotermale. E veçanta e saj është qëllimi i zhvillimit të procesit edukativo-arsimor në ambient të shëndetshëm për fëmijët tanë”.

“Ndotja e mjedisit tashmë është një fakt i hidhur, pasi përveç faktit që po shkatërrohet planeti Tokë, rrjedhimisht vihet në rrezik edhe jeta, përfshirë këtu edhe jetën njerëzore. Ndër arsyet kryesore të ndotjes së ambientit është përdorimi i tepërt i automjeteve”.

“Jeta e njeriut është shumë e rëndësishme, jo vetëm ditëve që shënojnë ndonjë datë të caktuar, siç është data e sotme, 22 shtatori. Andaj ne mosha madhore, e sidomos njerëzit në pozita ndikuese, jemi përgjegjës për jetën e fëmijëve tanë në rend të parë e pastaj gjithë shoqërisë kosovare”.

Luan Hasanaj, Let’s Do It Kosova, ka thënë se kjo është ndër javët më të rëndësishme në Kosovë.

“Është java më e rëndësishme e mjedisit që ka ndodhë ndonjëherë në Kosovë. Të fillojmë të mendojmë më seriozisht për shtigje për biçiklistë dhe shtigje për qytetarë”.

“Në këtë mënyrë të vazhdojmë ta mbrojmë Kosovën tonë dhe vetëm ne duhet të kujdesemi për të”.

Të ngjashme