Shitja e librave nga Akademia e Shkencave bie për 28%

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 13:47 | Nga

Akademia e Shkencave ka shitur më pak libra vitin e kaluar krahasuar me vitin 2016. Rënia e shitjes ishte për rreth 28% duke e ulur edhe më shumë të hyrat që Akademia siguron nga shitja e librave të tyre.

“AShAK realizon të hyra nga shitja e librave dhe botimeve të cilat derdhen direkt në buxhetin e Kosovës. Të hyrat e mbledhura për vitin 2017 ishin në vlerë 7 mijë e 971 euro. Ky nivel i inkasimit të hyrave është më i ulët se në vitin e kaluar për 2 mijë e 246 euro, si rezultat i nivelit më të ulët të shitjes së librave”, thuhet nga Zyra Kombëtare e Audiimit në raportin për pasqyrat fiskale të vitit 2017 të Akademisë së Shkencave të Kosovës.

Vlera e librave të shitur nga Akademia ishte vetëm 5 mijë e 725 euro, pra një rënie prej 28% krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë, ky institucion në vitin 2017, ka shpenzuar 1 milion e 101 euro apo 98% të buxhetit final që është më ulët për 1% krahasuar me vitin 2016. Në kuadër të këtij buxheti, ASHAK ka zvogëluar shpenzimet në kategorinë Mallra dhe Shërbime nga 445 mijë euro në vitin 2016 në 312 mijë euro në vitin 2017. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka gjithsej 55 punonjës të saj, të cilët sipas Raportit të Auditorit del të jenë paguar në mënyrë të saktë.

Auditori ka konstatuar se Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2017 ishin të sakta, duke mos i dhënë asnjë rekomandim këtij institucioni.

“Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe Rregulloren për raportim vjetor financiar nga organizatat buxhetore”, thuhet në raportin e Auditimit.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, po ashtu është lavdëruar nga Auditori i Përgjithshëm edhe për menaxhimin e financave dhe kontrollin e tyre.

“ASHAK ka kontrolle të mira në raport me obligimet statusore tё saj. Menaxhimi financiar dhe kontrolli reflekton rishikim cilësor dhe siguri në implementimin e legjislacionit në fuqi”, thuhet në raport të Auditimit.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se mjetet e përfituara prej 4 mijë euro, nga donacioni “Salbatrin Internacional” për projektin “Çmim Stimulues” edhe pse nuk ishin ndarë për stimulim të punëtorëve të rinj shkencor me rezultatin në punë dhe në lëmit shkencore, ato nuk ishin shpenzuar nga ASHAK-u.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme