Shoqata “27 Prilli 1999-Meje” ankohet për punimet në memorial, AMKMK-ja injoron raportimin

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 11:35 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticion u diskutua për zhvillimet e punimeve në kompleksin memorial në Meje.

Përfaqësues të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKMK), nuk kanë shprehur vullnet për të marrë pjesë në komision, ku komisioni ka ftuar të dyja palët për t’i ballafaquar argumentet mes vete.

Haki Sadriu, nga Shoqata e familjarëve të personave të zhdukur “27 Prilli 1999-Meje”, punimet për këtë memorial i cilësoi të “tmerrshme”, raporton Ekonomia Online.

Financimi i këtij memoriali ishte përgjegjësi e Kuvendit Komunal të Gjakovës, por për shkak të mungesës së mjeteve kaloi në Qeveri.

Sadriu tha se kontraktori aktual që po bën punimet në këtë memorial, e që kjo shoqatë nuk ka informacione se kush është ky kontraktori, ka bërë deri më tash vetëm gabime e të cilat po synohen të mbulohen.

“Ballafaqimi i drejtpërdrejtë do ishte më mirë, ne jemi ata që posedojmë shënime, fotografi. Që nga punimet që janë shpallë në tender nga komuna nuk kemi qasje si shoqatë, nuk e dimë fituesin e tenderit. Zhvillimi i punimeve, ne nuk jemi thirrë për të monitoruar, ka lëshime drastike, gabimet janë mbulu me pllaka dhe graniti po vendoset përmbi të cilat është gjynah me prishë përsëri. Është skandaloze që po kalon gjysma e vitit dhe vetëm 1/3 e punimeve është bërë”.

“Është e papranueshme që është thënë se varrezat janë prishë nga familjarët. Pllakat e epërme që janë si fazë përfundimtare, 46 mermera, janë të thyera që na thuhet se i kemi thyer ne familjarët. Kush i then varrezat e vëllezërve, fëmijëve, por ato kanë ardhë të thyera që nga fillimi. Edhe pse lënda është në Prokurori ato po merren me mbulimin e gabimeve që kanë bërë”.

Ai përmes disa fotografive ka treguar për punën që është bërë atje, duke thënë se ka mbi 180 foto që dëshmojnë për punën jo të mirë që ka bërë tenderuesi.

Teuta Haxhiu, nga AAK-ja, ka shprehur shqetësimin e saj për këtë çështje.

Saranda Bogujevci, nga LVV-ja, tha se është e padrejtë atyre familjarëve t’u shkaktohen dhimbje të tjera krahas dhimbjes që kanë për humbjen e familjarëve të tyre, raporton EO.

“Përveç dhimbjes që kanë për humbjen e tyre, ata duhet të mendojnë se si të bëhet vendi i varrezave për ta”.

Mexhide Mjaku-Topalli, nga PDK-ja, ka kërkuar sqarim se pse është bërë ndërprerja e kontratës me kontraktorin e parë.

“A janë vërejtet e juaja ato që kanë dërguar në ndërprerjen e kontratës për kontraktorin e parë që për të kontraktuar një tjetër”.

Nik Prelaj, projektues i projektit dhe familjar i të goditurve në Meje, ka vlerësuar pozitivisht punën e kontraktorit të parë duke thënë se pas kalimit të këtij projekti në Qeveri nga ana e komunës kanë filluar të shfaqen problemet.

“Puna e kontraktorit të parë nuk ka pasur vërejtje, ka filluar mirë, por në pamundësi të realizimit të projektit, vetëm me forca të komunës është thënë se nuk po mundem me zhvillu. Kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka ndërpre tenderin, për t’ia kaluar këtë Agjencisë”, tha Prelaj.

Të ngjashme