Shoqëri e dështuar me pajtimin dhe kontributin e shumicës

Prishtinë | 24 Jan 2024 | 15:54 | Nga Milazim Krasniqi

Shoqëria jonë, për aq sa është shoqëri, është e dështuar, si pasojë e pajtimit të shumicës që ta bëjnë të tillë. Pra, dështimi është rezultat logjik i mënyrës se si sillemi në të e ndaj saj, e jo si deklarohemi. Bile sa i përket deklarimit, ai është saktësisht e kundërta e realitetit, sepse secili pjesëtarë i kësaj shoqërie, me të drejtën e fjalës, e pakta në internet, betohet solemnisht se punon me përkushtim e dashuri për këtë shoqëri, për këtë shtet dhe për integrimin e tij euro-atlantik, madje edhe për barazi e drejtësi. Por, deklarimi solemn e zbulon hipokrizinë e folësve, sepse gjendja dramatike e shoqërisë sonë flet vetvetiu. Ja skema e dështimit:

  1. Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ata të Ipeshkvisë së Kosovës, jo vetëm në festa po në çdo rast deklarohen plot pasion mbi dashurinë, vëllazërinë, solidaritetin, tolerancën, miëkuptimin e drejtësinë shoqërore mes nesh. Recitimet e tyre lënë përshtypjen se ata tashmë nuk besojnë as vetë në fjalët që i shqiptojnë aq bujshëm e aq solemnisht. Shoqëria jonë nuk i ka përvehtësuar fare vlerat e dashurisë, vëllazërisë, solidaritetit, tolerancës, mirëkuptimit e drejtësisë shoqërore, për të cilat ata deklamojnë. E kundërta është e vërteta e realitetit tonë shoqëror: në shoqërinë tonë po dominon urrejta, grindja, smira, shpifja dhe pabarazia. Pra, angazhimet e bashkësive fetare ose janë joefikase, ose janë të pasinqerta. Ndryshe, këtë rezultat dëshpërues nuk do të duhej ta kishin angazhimet dhe mesazhet e tyre. Indiferenca e pasuesve të tyre -besimtarëve, është dëshpëruese, sepse ata formalisht miratojnë me kokë mesazhe, ndërsa në veprime konkrete nuk duket se dallojnë esencialisht nga pjesëtarët e tjerë të shoqërisë, që nuk udhëhiqen nga ato vlera sublime të besimeve fetare.
  2. Përfaqësuesit e punëtorisë, ndonëse flasin më rrallë, se sa hoxhallarët e priftërinjtë, sa herë flasin, të shkaktojnë kokëdhembje. Janë të padijshëm dhe të pasinqertë. Ata flasin gjëra të mjegullta, ndërsa gjendja konkrete e punëtorisë në vendin tonë është skajshmërisht dëshpëruese: pa sigurime shëndetësore, të shumtët pa kontrata kolektive, pa mbrojtje në vendin e punës, pa kompensimin e shujtës dhe të udhëtimit. Pothuajse pa asgjë, argashti hesapi. Ndërsa, vetë punëtoria është e heshtur, apatike, nuk ndihet gjallë. Nuk ndihet gjallë as për 1 maj, kur në shumë vende të botës punëtorët të paktën protestojnë.
  3. Në universitetet tona publike e private momentalisht ka më shumë se 100.000 studentë. Ata studojnë në kushte të vështira, pa libra në gjuhën e studimit, pa programe adekuate me tregun e punës në vend dhe në kontinentin tonë, pa reforma që do t’i bënin programet konkuruese ndaj universiteteve të ngjashme në Evropë. Meqë gjendja është shumë e keqe, gjithë ky kontigjent kolosal i të rinjve, do të duhej të ishin më të organizuar për të ndryshuar gjendjen, ku janë katandisdur universitetet tona.Por ata kanë bërë të kundërtën: i janë përshtatur skemës së shndërrimit të universiteteve në strehimore, ku ata futen për ta blerë qeveria paqen sociale. Bashkë me mësimdhënësit e tyre, ata e durojnë injorancën e politikanëve të padijshëm e të pamoralshëm, e durojnë peshën e një sistemi arsimor të dështuar. Faktikisht, edhe ata vetë janë pjesëmarrës aktiv në dështimin e sistemit dhe të të gjithë shoqërisë.
  4. Pjesë e koncensusit të heshtur për dështimin e shoqërisë sonë janë pa dyshim edhe elitat intelektuale. Përderi sa në gjendjen e tmerrshme të okupimit serb mbi Kosovën, të viteve nëntëdhjetë, shkrimtarët shqiptarë të Kosovës u bënë artikuluesit më autentikë të interesave të shoqërisë e të vendit, sot në liri e ke zor ta gjesh një shkrimtar që shfaq opinionet e veta kritike, jo vetëm për gjendjes në shoqëri, po edhe për gjendjen katastrofale në fushën e botimeve, të kulturës në përgjithësi. Nuk mund të gjesh as piktorë, muzikologë, regjisorë, arkitektë, që janë si duhet të organizuar dhe që paraqesin opinione për gjendjen në fushat e tyre. Sa u përket institucioneve të tipit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, instituteve e muzeve, gjendja është edhe më e keqe. Të gjitha i ka pllakosur heshtja, indiferenca, koketimi.
  5. Një rol në dështimin e shoqërisë e ka edhe diaspora. Në vend se të organizohej e të bënte presione me projekte për investime, ajo ka parapëlqyer gjithë këto vite që të organizojë dasma të kushtueshme, të sigurojë dru e pastërma për familjarët, të blejë banesa në të cilat nuk banon askush dhe të ankohen vajtueshëm pse ka vonesa në pikat doganore me Serbinë. Natyrisht, të gjitha ankesat e saj bien edhe më tutje në vesh të shurdhër të qeverisë e të institucioneve, sepse kjo diasporë, me shumicë dërrmuese është folklorike, anakronike dhe provincialiste.
  6. Fshatarësia jonë, përveç rasteve të pakta, është bërë shembull i parazitizmit dhe i ankesave infantile për gjithçka. Një pjesë e madhe e tokave të vendit mbeten djerrë, sepse ata, deri sa pinë çaj rusi duke mbajtur këmbën mbi këmbë, thonë në kor: “nuk ka hesap me e punue token!” Prandaj, as ata nuk mund të dalin nga varfëria, ndërsa vendi harxhon miliona euro në importimin e grurit, mishit, qumështit, pemëve e perimeve. Pra, edhe në këtë rast ekziston një pajtim i heshtur ndërmjet qeverisë dhe fshatarëve tanë: qeverisë dhe karteleve të ndryshme u leverdis që të ketë sa më pak prodhim vendor e sa më shumë import, sepse ashtu e mbushin arkën nga doganat, si edhe xhepat e tyre, ndërsa fshatarëve u leverdis që qeveria nuk bën asgjë për ta, sepse ashtu kanë arsye të ankohen te familjarët në diasporë dhe të vazhdojnë të jetojnë nga “ndihmat e jashtit.” Po të kishte qeveria plan për zhvillimin e bujqësisë, e pakta që do të duhej të bënte, do të duhej t’u vinte gjoba atyre që nuk e punojnë tokën.
  7. Shumica e mjekëve janë pajtuar që ta dështojnë shëndetësinë.
  8. Shumica e prokuroërve dhe gjyqtarëve janë pajtuar ta dështojnë sistemin e drejtësisë.
  9. Shumica e policëve janë pajtuar ta dështojnë sigurinë publike.
  10. Si qershia mbi tortë, kjo elitë politike definitivisht është pajtuar që ta dështojë shtetin e Kosovës dhe po punon me entuziazëm në këtë drejtim. Faktikisht edhe tendencat abuzive të grupimeve të tjera, janë të frymëzuara, të inkurajuara e të lejuara prej saj dhe qeverive që dalin prej gjirit të saj. Natyrisht në të gjitha komunitetet dhe grupet shoqërore që u përmenden, ka njerëz të ndershëm e punëtorë. Por ata janë pakica e papërfillshme. Shumica vazhdimisht dhe gjithkund janë ata që janë pajtuar që të jetojnë në një shoqëri të pamoralshme, në një shoqëri të padrejtë, në një shoqëri konsumeriste e hedoniste, në një shoqëri parazitare. Po të mos ishte kjo kontratë okulte sociale, gjendja nuk do të ishte kështu si është dhe e tendencë që vitin 2018 të përkeqësohet edhe më shumë.
    E sigurt është që në instalimin e këtij modeli të dështuar të shoqërisë sonë, ka ndikimin e vet politika e padrejtë dhe shumë hileqare e Bashkimit Evropian, i cili me izolimin që ia ka imponuar Kosovës, e ka lehtësuar kapjen e shtetit nga grupet e fuqishme politike e ekonomike me precedentë kriminalë. Gjithsesi ndikim në këtë gjendje ka edhe Serbia me politikat e saj të diversionit konstant ndaj stabiltetit dhe ekzistencës së këtij shteti të brishtë e të papërfunduar. Por, këta janë agjens të jashtëm, në vullnetin e të cilëve e nuk mund të ndikojmë direkt. Ata mbeten mospërfillës e armiqësorë, për kalkulimet e veta, por ne ua lehtësojmë zbatimin e tyre.
    Kjo është gjendja e shoqërisë dhe e shtetit tonë, pra, një shoqëri e dështuar me pajtimin e shumicës. Personalisht kam frikë se gjendja është pa gjasa për ndonjë përmirësim. Pse? Sepse siç ka thënë Faik Konica: “shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh!” Pra, thjesht ne e refuzojmë mësimin, e refuzojmë korrigjimin, e refuzojmë përmirësimin. Siç ka thënë Mid’hat Frashëri, jemi popull kotsidashës.

Të ngjashme