Gratë ndërmarrëse të Kosovës, ndajnë përvojën e tyre në UBT

Prishtinë | 14 Nën 2017 | 19:14 | Nga Ekonomia Online

Nën organizimin e UBT-së dhe qendrës së Inovacionit Social “Colibri”, ka filluar punimet aktiviteti Java Globale e Ndërmarrësisë, aktivitet që përgjatë një jave do të mbledh ndërmarrës të suksesshëm, investitorë, hartues të politikave, si dhe marrin pjesë organizata të ndryshme që mbështesin sipërmarrjet.

Punimet po mbahen në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, teksa dita e parë e aktivitetit është dedikuar mbështetjes dhe promovimit të ndërmarrësisë së femrave në Kosovë, me ç’rast morën pjesë shumë gra ndërmarrëse, të cilat kanë paraqitur përvojat e tyre në biznes.

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka theksuar se përfshirja e grave në fushën e sipërmarrjes, jo vetëm që do të adresojë barazinë dhe stabilitetin financiar, por edhe varfërinë në Kosovë.
Sipas tij, kjo ditë do të shënohet gjithmonë për të nxitur në mënyrë specifike besimin dhe forcimin e vendimmarrjes së grave në Kosovë.

Duke folur për barazinë në pronësi dhe mundësitë ekonomike për gratë, Vjosa Shkodra, përfaqësuese e USAID, ka thënë se gratë nuk janë trajtohen në mënyrë të barabartë në familje në aspektin e trashëgimisë, andaj ato përballen me sfida financiare. Si rezultat i kësaj, Shkodra tha se ato kanë edhe pengesa në synimin e rrugëtimit në të bërit biznes.

Jorida Xhafaj, dekane e Fakultetit Juridik në UBT, ka folur për ndikimin e të drejtave për pronësi intelektuale në ndërmarrësinë e grave, e cila ka thënë se në Kosova përballet me mungesë të vetëdijes që ekzistojnë ligjet, andaj duhet të bëhet fushatë për edukimin dhe ngritjen e nivelit të informimit mbi të drejtat pronësore dhe përfitimet e tyre.

Tutje, ajo ka theksuar se duhet në vend të përmisohet edhe klima shoqërore e institucionale për mbështetjen e grave.
Mirlinda Kusari, themeluese e Shoqatës së Grave të Biznesit “SHE-ERA” në Kosovë, ka theksuar se organizata që ajo drejton, është e vendosur për të ndihmuar në zhvillimin e lidhjeve ndërkombëtare për bizneset lokale dhe zhvillimin e investimeve të brendshme. Ajo, po ashtu ka thënë se i ndihmon gratë ndërmarrëse të prezantojnë produktet e reja ndërkombëtarisht.

Linda Shala, zëvendëskryetare e Odës Ekonomike të Grave, tha se edhe përkundër diskriminimit të madh gjinor, gratë duhet të punojnë me përkushtim më të madh për mirëqenie të gjithë shoqërisë. Sipas saj, perceptimet dhe paragjykimet gjinore tejkalohen edhe me zhvillimin ekonomik.

Në fund të aktivitetit, për të kuptuar se femrat në Kosovë po emancipohen në të gjitha fushat e veprimit, është prezantuar shkopi me sensorë për të verbrit, që është projektuar nga studentet e UBT-së, Dylbere Rrustemi, Blerinë Syla, Miradije Hasani dhe Emine Syla.

Ato kanë projektuar një shkop të veçantë që nuk ka ekzistuar më parë, mirëpo deri tek realizimi i projektit, ato thanë se kanë hasur në shumë paragjykime, por edhe përkundër kësaj ideja e këtyre studenteve u shpërblye disa herë me çmimin e parë në disa punëtori.

Gjatë Kongresit Global të Ndëmarrësisë, të mbajtur në Medellin të Kolumbisë, në janar të vitit 2016, Kosova fitoi Çmimin “Brand & Community Champions”, si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe organizimit të mirëfilltë të komunitetit dhe fushatës promovuese të Javës Globale të Ndërmarrësisë për Gratë, në vitin 2015.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme