Shtyhet përballja në gjykatë e Ramush Haradinajt me Gazmend Muhaxherin

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 15:20 | Nga

Është shtyrë në qershor gjykimi i Gazmend Muhaxherit pas padisë që ndaj tij ngriti Ramush Haradinaj.

Ramush Haradinaj përmes avokatit të tij, Arianit Koci, kishte paditur në Gjykatën Themelore të Pejë, kryetarin e Komunës së Pejë, Gazmend Muhaxherin, për “shpifje dhe të pavërteta” në prill të vitit 2015.

Fillimi i këtij gjykimi ishte caktuar nga Gjykata Themelore e Pejës të mbahej sot, mirëpo ai është shtyrë me kërkesën e avokatëve të dy palëve.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, gjyqtarja e rastit, Ganimete Puka, e cila bëri të ditur se ka pranuar kërkesë për shtyrjen e seancës nga avokatët e dy palëve.

Gjyqtarja Puka për KALLXO.com tha se fillimi i këtij gjykimit është caktuar për datën 5 qershor të këtij viti.

Padia ndaj kryetari të Pejës ishte bërë pas disa deklaratave të dhëna në mediat ndërkombëtare, ku kishte akuzuar Haradinajn se “ende po bën para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit” në Pejë.

Si kompensim të dëmit material, kryeministri përmes padisë kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim nga kreu i komunës së Pejës.

Përveç padisë, nga deklaratat e Gazmend Muhaxherit u mbajt edhe protestë në qendër të Pejës nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Të ngjashme