Këta janë 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët”

Prishtinë | 14 Sht 2018 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

(E plotësuar) Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) sot ka ngritur aktakuzë dhe e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK-së.

Në njoftimin e parë, Prokuroria ka njoftuar se janë akuzuar 12 persona, por pa i publikuar emrat as inicialet e të akuzuarve.

Në një komunikatë të dytë, Prokuroria ka dërguar inicialet e të akuzuarve. A.Q., N.L., S.H., SH.D., Q.G., SH.B., A.D., RR.B., F.F., S.E., F.SH., XH.J., janë inicialet e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë.

Sidoqoftë, mediet kanë publikuar emrat e të akuzuarve. Ata janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që gjykata të lëshojë masën  për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68 milionë e 153 mijë e 533 euro.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë  të shpallën fajtor dhe të gjykohen sipas ligjit.

Po ashtu, PSRK-ja ka propozuar që Gjykata të marrë vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t’iu ndalohet marrja e pensionit si veteran luftëtar i UÇK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme