MD: Ligji për Dhomën e Posaçme nuk i privon palët nga ankesa

Prishtinë | 11 Kor 2018 | 18:13 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Drejtësisë sqaron opinionin publik sa i përket disa shkrimeve të ditëve të fundit lidhur me Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Pretendimet se Projektligji në fjalë privon palët nga shkallshmëria e ankesës janë tërësisht të pabazuara, thuhet në një komunikatë shtypi.

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme vepron si Gjykatë dy-shkallëshe. Është tërësisht e qartë se vendimet e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme, si pjesë e Gjykatës Supreme, nuk mund të jenë objekt i asnjë shkalle të mëtejshme të ankimimit, përveç se objekt i trajtimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila garantohet nga paragrafi 15 i nenit 9 të Projektligjit në fjalë.

Duke marrë parasysh faktin se sipas Ligjit për Gjykatat, Dhoma e Posaçme është pjesë e Gjykatës Supreme si dhe duke marrë për bazë specifikat dhe procedurat e veçanta që zhvillohen në këtë institucion gjyqësor, mungesa e mjeteve të jashtëzakonshme juridike nuk përbën shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë (neni 31 dhe 54 i Kushtetutës së Kosovës dhe neni 6 dhe 13 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Ky qëndrim është vërtetuar edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, gjatë trajtimit të mëhershëm të pretendimeve të ngjashme.

Nga ana tjetër, projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme jo vetëm se mundëson kalimin e kompetencave të plota tek gjyqtarët vendorë por njëkohësisht ofron alternativa konkrete që rrisin efikasitetin e punës së Gjykatës dhe shtojnë nivelin e llogaridhënies së gjyqtarëve për punën e tyre.

Përmes ndryshimeve strukturore dhe organizative janë ndërmarrë masa për zbatimin e parimeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një gjykim brenda një intervali të arsyeshëm kohor. Këto ndryshime kanë si synim bazë rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve dhe reduktimin ndjeshëm të numrit të lëndëve të grumbulluara, që rezulton me zhbllokimin e fondeve të privatizimit dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministria e Drejtësisë është e bindur se gjatë seancës së nesërme deputetët do të vënë interesin e vendit mbi të gjitha dhe do ta miratojnë këtë Projektligj.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme