Policia e Kosovës sqaron fotografitë e “njësive të armatosura serbe” në veri

Prishtinë | 12 Jan 2018 | 23:06 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka bërë një sqarim lidhur me informatat e plasuara sot në portalin Indeksonline nën titullin “KFOR-i konfirmon praninë e njësive serbe të armatosura në veri”.

“Airsoft Club Vukovi” është organizatë joqeveritare, e pavarur, jofitimprurëse, e cila sipas statutit të saj, i përket shoqërisë sportive dhe duhet të promovojë kryesisht disciplinë sportive. Ishte formuar bazuar në ligjin për lirinë e bashkëpunimit mes OJQ-ve, në kuadër të ligjit 04/L-57, tuhet në një komunikatë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut.

“Organizata në fjalë, ‘AirSoft Club Vukovi’ Mitrovicë veri, e cila udhëhiqej nga Momcilo Arlov, është suspenduar/ngrirë së funksionuari me vetë kërkesën e udhëheqësit të kësaj OJQ-je, në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse, menjëherë pas aktiveteve të fundit të cilat i patën ndërmarrë në muajin gusht të vitit 2016, dhe që nga ajo ditë, asnjë aktivitet i llojit të njëjtë nuk është regjistruar në asnjë nga komunat më veriore të Republikës së Kosovës”.

“Nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Mitrovicë veri, sot me 12.01.2018, është zhvilluar bisedë me të apostrofuarin Momcilo Arlov, i cili ka deklaruar se bëhet fjalë për fotografi të vjetra, ndërsa shumica e fotografive të paraqitura janë nxjerrë nga interneti, e gjithashtu ka deklaruar se klubi “Air Soft Vukovi”, nuk ka patur asnjë aktivitet që nga gushti i vitit 2016”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se gjatë vitit 2016, pat ndërmarrë një fushë të gjerë të hetimeve për të siguruar të gjitha informatat lidhur me funksionimin e kësaj OJQ-je, ndërsa ka intervistuar dhe kontrolluar të gjitha pajisjet replika të armëve, duke siguruar se asnjë nga to nuk kanë qenë armë zjarri.

“Për më tepër, njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë veri, në baza ditore kanë dhe janë duke vepruar me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të ndryshme kriminale përfshirë zonat urbane dhe ato rurale, dhe gjatë aktiviteteve të tilla policore në zonat rurale, nuk është regjistruar asnjë nga informatat e mundshme nga banorët e këtyre zonave për aktivitete të ngjashme”.

Marrë parasysh se informata të këtilla të pakonfirmuara, mund të ndikojnë në ndjenjën e pasigurisë së qytetarëve, Policia e Kosovës thotë se me përkushtimin më të lartë në shërbim të të gjithë qytetarëve, do të vazhdojë të ushtroj aktivitetet e saj në kuadër të autorizimeve ligjore, për të parandaluar çdo formë të aktiviteteve kriminale të çfarëdo lloji qofshin ato.

“Gjithashtu, vlen të potencohet se në funksion të garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit, Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkelqyeshëm edhe me mekanizmat tjerë relevantë si ata vendorë dhe nderkombëtarë,  me theks të veçantë KFOR-in”, përfundon sqarimi i policisë.

Të ngjashme