Veseli nuk është ftuar të dëshmojë në rastin e deputetëve të VV-së

Prishtinë | 07 Dhj 2017 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk ka marrë ftesë zyrtare nga kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra për të dëshmuar sot në seancë ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që po gjykohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Burime të Ekonomia Online brenda Kuvendit kanë deklaruar se kreu i Kuvendit nuk ka marrë ftesë që të jetë dëshmitarë në këtë gjykim, edhe pse në seancën e fundit emri i Veselit ishte përmendur nga Kalludra si dëshmitar i rastit.

“Kryeparlamentari Veseli është njoftuar përmes mediave, për procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj deputetëve që kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend”.

“Gjykata nuk ka dërguar ftesë në kabinetin e kryeparlamentarit për ta ftuar atë që për të dëshmuar në këtë proces”.

Por gjyqtari Kalludra edhe sot në nisjen e seancës gjyqësore ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli ka përmendur edhe emrin e Kadri Veseli si dëshmitar.

Tre dëshmitarët e tjerë janë deputetët e LDK-së, Naser Osmani e Armend Zemaj dhe Bekim Haxhiu nga PDK-ja. Por në Gjykatë janë paraqitur vetëm Naser Osmani dhe Bekim Haxhiu.

Në seancën paraprake, dëshminë e tyre e kanë dhënë deputetet e PDK-së, Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra të cilat përpos që janë dëshmitare në këtë rast cilësohen edhe si palë e dëmtuar.

Brovina në dëshminë e saj nuk e kishte identifikuar asnjërin nga deputetët se ka hedhur gaz lotsjellës por vetëm ka deklaruar se është hedhur gaz lotsjellës.

Por deputetja Deliu-Kodra e kishte specifikuar deputetin Albin Kurti se ishte ai që e ka hedhur gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe deputeti Nuredin Ibishi derisa nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti nuk e ka përmendur asnjërin nga deputetët që akuzohen por ka thënë se hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend ka qenë akt i opozitës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme