Veseli: Ushtrinë e krijojmë shpejt në partneritet me NATO-n, me Malin e Zi problemet i zgjidhim pa cenuar sovranitetin

Prishtinë | 14 Nën 2017 | 10:05 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në ditë e dytë të konferencës, “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, tha se Kosova ka kontribuar dhe po vazhdon të kontribuoj në paqen dhe demokracinë në Ballkan e më gjer, raporton Ekonomia Online.

“Kontributi i Kosovës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare i kalon kufijtë e rajonit. Në këto pak vite të ekzistencës si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka treguar përkushtim dhe efikasitet të vlerësuar, brenda Aleancës globale kundër terrorizmit dhe kërcënimeve që vijnë prej ideologjive që e ushqejnë atë. Ne kurrë, as nuk kemi qenë, e as nuk do të lejojmë që territori ynë të shërbejë si burim frymëzimi apo rekrutimi për grupet ekstremiste”.

Kryekuvendari Veseli, tha se Kosova është vonuar në transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri e kjo sipas tij, do të ndodh në ditët  në vijim në partneritet me NATO-n.

“Ne sot ndihemi krenar me kadetët e FSK-së për suksesin që po tregojnë në garat më të mëdha ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s. Ky sukses është vetëm një shembull që tregon se kjo Forcë është gati për të marrë rolin që i takon në dinamikën e sigurisë rajonale dhe globale.Ne synojmë të bëhemi anëtar me të drejta të plota në NATO dhe ne krenohemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

“Presim që shumë shpejt ta bëjmë transformimin  sajë në ushtri. Ajo çka është e sigurt që Kosova do ta ketë ushtrinë e saj në ditët në vijim. Kosova është perëndimore dhe është krenare për identitetin e vet”.

Veseli shtoi se Kosova beson në vlerat që mbron NATO, duke besuar në partneritet me Bashkimin Evropian dhe ShAB-në.

“Pas tre muajsh Kosova feston pavarësisë, jemi dëshmuar si shtete që kemi kontribuar në paqe e demokraci në Ballkan e më gjerë. Ne besojmë në vlerat që mbron NATO, ne besojmë në partneritetin me BE dhe ShBA-në”.

Veseli foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me shtete fqinje. Ai tha se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me shtetet fqinje. Madje ai tha se pret që Serbia shumë shpejtë ta njoh Kosovën.

Sa i përket Malit të Zi, Veseli tha se nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme me të, të cenohen apo vihen në diskutim.

Ai tha se dilemat e brendshme rreth demarkacionit nuk do të ndikojnë në miqësinë e qëndrueshme mes dy shteteve dhe se këto dilema do të tejkalohen pa i lënduar miqtë dhe partnerët tanë.

“Raportet tona me Malin e Zi janë të shkëlqyeshme. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë të prishen. Ia urojmë anëtarësimin e tyre në NATO. Por në të njëjtën kohë zotohemi se çdo çështje do të zgjidhet në mënyrë më të duhur pa cenuar sovranitetin e vendeve tona”.

Konferenca po mbahet nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në partneritet me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

Hapjen e konferencës e ka bërë mbrëmë presidenti Hashim Thaçi, i cili ka drejtuar kritika në drejtim të bashkësisë evropiane për izolimin e Kosovës.

Ai foli dhe për çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, për çka kritikoi Qeverinë e Kosovës për zvarritje të këtij procesi.

Kurse ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem, ka folur rreth transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

Ai përsëriti qëndrimin e Aleancës Veriatlantike se kjo duhet të bëhet në bazë të ndryshimeve kushtetuese.

“Ju iu referuat pritjeve të qytetarëve dhe transformimit të FSK-së në ushtri. Nëse zgjidhni të merrni atë rrugë kjo duhet të bëhet sipas ndryshimeve kushtetuese, dhe më gëzoi që ju e përmendët këtë”, iu drejtua zyrtari i NATO-s presidentit Thaçi.

Në konferencë po marrin pjesë përfaqësues të lartë të NATO-s, dhe ekspertë rajonal dhe ndërkombëtar.

Lexo më shumë:

Të ngjashme