S’ka Karton të Gjelbër, diaspora detyrohet të paguajë

Prishtinë | 15 Kor 2017 | 16:28 | Nga

Edhe sivjet, sikurse viteve të kaluara, bashkatdhetarët që vijnë me automjete në Kosovë, detyrohen të paguajnë në kufij sigurimin e detyrueshëm të automjetit.

Sipas BKS-së, ky sigurim ekstra paguhet pasi Republika e Kosovës nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila rrjedhimisht e ka pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër, si policë ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës.

Për këtë arsye, autoritetet kompetente ka kohë që po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të lobojë tek ndonjë shtet anëtar i këtij Këshilli, që të marrë nën ombrellë Kartonin e Gjelbër të Kosovës. Kjo, sipas tyre, është alternativa e vetme për tu anëtarësuar në këtë rrjet, që automatikisht bashkatdhetarëve do t’ua hiqte taksën e detyruar të sigurimit. Po lobohet që edhe Kosova të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër Evropian.

Gani Thaçi është përfaqësues dhe zyrtar i lartë në BKS-së. “Ne tani kërkojmë që lobimin për ne për të hyrë në Karton të Gjelbër duhet ta bëjë Qeveria, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme, që ne të futemi nën ombrellën e një shteti, siç ka bërë Mali i Zi pas pavarësimit dhe një shtet i ish Bashkimit Sovjetik. Këtë mund të bëjë vetëm qeveria, ne nuk mundemi edhe pse kemi lobuar në mbi 30 shtete.”, është cituar të ketë thënë Thaçi për mediat kosovare.

Përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve në Kosovë kanë potencuar se policat e sigurimeve janë të detyrueshme edhe këtë vit sipas praktikës së vjetër. Pra, e mira, në këtë «të keqe», është se nga viti 2015, pagesat e policave kufitare të sigurimeve janë reduktuar për 50 për qind. Sipas vendimit që ka marrë dy vjet më parë BQK, policat e sigurimit kufitar me kohëzgjatje prej 15 ditëve, tani do të kushtojë 15 euro dhe jo 30 euro sa kanë kushtuar më herët. Ndërsa policat e sigurimit kufitar me kohëzgjatje prej 1 muaj, tani do të kushtojë 20 euro, kurse për kohëzgjatje prej dy muajve do të paguhet vetëm 35 euro.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj). E në rastin e Kosovës, aksidentet dhe lëndimet eventuale i mbulon sigurimi që paguhet në kufij. Aktualisht, derisa Kosova ballafaqohet me mungesë të njohjeve nga disa shtete evropiane dhe kur anëtarësimi në OKB duket i largët, duhet të kërkohet lobim nëpërmjet një shteti tjetër si në rastin e Kodit Telefonik. Kështu mendon edhe eksperti i këtyre çështjeve, profesori universitar Ibish Mazreku.

Ai ka thënë se në këtë kuadër duhet të ekzistojë gatishmëria e të dy shteteve. «Kjo është një alternativë që mund të jepet që Kosova të ketë Kartonin e Gjelbër, të një shteti tjetër. Për shembull, mund të jetë Shqipëria, Maqedonia, Sllovenia. Ka pasur iniciativa që Kosova të hyjë nën ombrellën sllovene, për shkak të reputacionit më të mirë në Këshillin e Evropës, sesa byrotë e rajonit. Kjo është e mundshme, vetëm duhet të ekzistojë vullneti i përbashkët i të dy byrove që të hyjnë në dy marrëveshje», thotë Mazreku për mediat e Prishtinës.

S.Berisha është një bashkatdhetar që punon dhe jeton në Zvicër për kati tri dekada. Ai tha se taksat kufitare në emër të Kartonit të Gjelbër, janë një hajni e legalizuar në Kosovë që i vihet në barrë diasporës. Sipas tij 20 euro për një muaj janë tepër simbolike, sepse dy kafe në një restorant në Cyrih, kushtojnë pothuaj kaq. “Por, i dhimbshëm është fakti, se po na i marrin këto para pa falënderim… plus, po duhet të presim me orë të tëra në kufij. Kjo është më shumë maltretuese.”, tha Berisha.

“Kam dhënë dhjetëra mijëra franga për luftën dhe paraluftën në Kosovë. As sa një cigare e duhanit nuk me janë dhimtë. Sepse e kamë ditur se kjo është taksa që duhet dhënë për lirinë. Por, këto të Kartonit të Gjelbër, janë një lloj hajnie.” , konsideron ky bashkatdhetar.

Sipas Vetëvendosjes: Polica e sigurimi është plaçkë institucionale Për Lëvizjen Vetëvendosje, partinë politike që është radhitur e dyta në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, taksat në emër në Kartonit të Gjelbër janë plaçkë që i bëhet diasporës. “Në mesin e të gjithë mërgimtarëve shqiptarë më të diskriminuarit (në mënyrë ekonomike) janë mërgimtarët shqiptarë të Kosovës.”

Ata, pra mërgimtarët, shqiptarët e Kosovës, që nga mbarimi i luftës dhe nga liria e shtetit të tyre janë të detyruar që para se të hyjnë në shtetin e origjinës së tyre të paguajnë një taksë në emër të sigurimit të automjetit të tyre që ndryshe në zhargonin automobilistik e ka emrin: Kartoni i Gjelbër! Kjo taksë tatimore përveç si e pakuptimtë (të gjitha automjetet e mërgimtarëve janë të siguruara nga sigurimet e vendeve nga ata vijnë) ka edhe një efekt tjetër e që është pritja e gjatë në vendkalimet kufitare duke bërë pagesën e detyruar monetare. Kështu mërgimtarët shqiptarë të Kosovës pa të drejtë dhe në mënyrë krejt arbitrare gjobiten nga shteti i origjinës së tyre», konsideron Faton Topalli, deputet i LVV-së dhe ish-mërgimtar në Zvicër për tri dekada.

Ai madje potencoi, se nga këto pagesa që i vihen në barrë diasporës, autoritetet kosovare apo kompanitë e sigurimeve, kanë përfituar rreth 130 milionë euro. “E tëra kjo do të thotë se paratë e plaçkitura nga xhepat e mërgimtarëve, në vend që të përdoreshin për të mirën e shtetit të Kosovës, janë përdorur e keqpërdorur për pasurimin e kompanive të sigurimeve private…”, konsideron Topalli.

Sipas tij, i ashtuquajturi Kartoni i Gjelbër i apostrofuar si mjeti plaçkitës i mërgimtarëve, është edhe një pikë e zezë në mesin e shumë pikave të tjera të zeza për shtetin e Kosovës që duhet të hiqet apo të eliminohet sa nuk është bërë vonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme