Sot Kosova në ditë zie, varroset legjenda e futbollit

Prishtinë | 10 Qer 2018 | 10:32 | Nga

Kosova sot është në ditë zie, në përkujtim të legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrrit, i cili ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës.

Vendimin për ditë zie shtetërore e ka kumtuar dje zyra e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur ditën e diel, 10 qershor 2018, ditë zie në Kosovë, në nderim të Fadil Vokrrit.

Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, me vendim të presidentit Thaçi, sot flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Vokrri ndërroi jetë si pasojë e një komplikimi shëndetësor, të cilin nuk mundi ta tejkalojë as pasi u dërgua me urgjencë në qendrën kryesore spitalore të vendit.

Shumë qytetarë natën e mbrëmshme kanë ndezur qirinjtë për ta nderuar të ndjerin Fadil Vokrrin.

Qytetarët janë mbledhur para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Aty ishin të pranishëm edhe familja Vokrri, dhe Federata e Futbollit.Ftesa për të ndezur qirinjtë është bërë nga Flamur Beqiri, njëri nga biznesmenët, veprimtarët dhe simpatizuesit e hershëm të lojës së Fadil Vokrrit, duke shprehur në këtë mënyrë një mënyrë dinjitoze të respektit dhe vlerësimit për Fadil Vokrrin!

Ceremonia e varrimit do të nis sot në Prishtinë.

Ceremonia do të organizohet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Presidenti Fadil Vokrri, si figurë qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij, në shenjë nderimi, do të përcillet me të gjitha nderimet shtetërore.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës sipas agjendës së mëposhtme:

12:00 – 13:30 Homazhe, Kuvendi i Kosovës
14:00 – 15:00 Mbledhje komemorative, Kuvendi i Kosovës
17:00 Varrimi në varrezat e qytetit në Prishtinë

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme