Specialistët e papunë “ia zënë derën” Ministrisë së Shëndetësisë

Prishtinë | 11 Kor 2016 | 14:21 | Nga

Rreth 30 specialistë të fushës së mjekësisë kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar punësim.

Përfaqësuesi i tyre Arben Ademi tha se ata do të vazhdojnë të protestojnë edhe para institucioneve të tjera derisa të plotësohet kërkesa e tyre.

“Sot kemi ardhur në protestën e radhës para ministrisë së shëndetësisë me kërkesën e vetme, plotësimin e të drejtës elementare e që për ne që është punësimi”, tha ai.

Sipas tij, pas kësaj protestë ata do të organizojnë edhe grevë urie dhe protesta të tjera para Kuvendit të Kosovës.

Specialistët e fushave të ndryshme në mjekësi për më shumë se një orë qëndruan para dyerve të ministrisë kurse më vonë ata u pranuan brenda nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani.

E Ademi pas takimit tha se ministria ka premtuar vetëm që do të interesohen për çështjen e tyre.

Albana Krasniqi specialiste e neurologjisë e cila ka kryer 24 vitet shkollim tha se nuk është e drejtë që akoma nuk po arrijnë të punësohen.

“Në momentin që e kam përfundu specializimin është shkëputur kontrata edhe pse e kam marrë specializimin nga Qendra Klinike Universitare akoma nuk jam punësuar“, tha ajo për kallxo.com.

Sipas saj ajo ka specializuar që të ndihmojë njerëzit mirëpo këtë nuk po mundet ta bëjë pa qenë e punësuar.

Specialistët e papunë kanë protestuar edhe më parë madje me 4 prill të këtij viti ata kishin bllokuar edhe hyrjen në Ministri të Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka bërë koment rreth protestës dhe takimit me specialistët.

Të ngjashme