“Ta pastrojmë Kosovën” vazhdon te Liqeni i Batllavës, pak banorë i përgjigjen ftesës për pastrim

Podujevë | 11 Tet 2018 | 13:01 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili ka filluar më 15 shtator 2018, ka vazhduar sot në afërsi të Liqenit të Batllavës. Përveç vullnetarëve të organizatës “Let’s Do It Kosova”, në aksionin e pastrimit kanë marrë pjesë edhe komuniteti lokal dhe një grup i nxënësve.

Ata kanë pastruar deponinë e parë në Liqenin e Batllavës, hapësirë në të cilën parashihet të bëhet një park, ndërsa pritet që të vazhdojnë të pastrojnë edhe dy deponi të tjera ilegale të mbeturinave.

Në aksion është angazhuar edhe kompania “Natyra” me ekskavatorë dhe kamionë për largimin e mbeturinave, raporton Ekonomia Online.

Luan Hasanaj nga OJQ “Let’s Do It Kosova”, ka thënë se hapësira rreth Batllavës është në gjendje të keqe prandaj, sipas tij, edhe pas disa herë pastrimeve, janë detyruar të kthehen prapë për të pastruar. Ndërsa, thirrjes për qytetarë që të bashkohen në aksionin e sotëm të pastrimit, Hasanaj thotë se nuk iu janë përgjigjur shumë.

“Ne nuk po pajtohemi me këtë situatë dhe po mundohemi që për të disatën herë të vijmë dhe të pastrojmë këtu. Qëllimi kryesor i krejt kësaj është që të provokojmë debat dhe të mundohemi t’iu tregojmë qytetarëve që ju duhet me qenë më të kujdesshëm, më të vetëdijshëm, që duhet ta ruajmë këtë hapësirë, duhet ta ruajmë mjedisin ku ne jetojmë sepse është vend që ne e shfrytëzojmë të gjithë. Nëse e dëmtojmë dhe e krijojmë si kjo këtu, nuk e di se çfarë e ardhme na pret ne dhe gjeneratave që vijnë”.

Hasanaj tha se përpos pastrimit, do të mundohen të sjellin edhe ulëse dhe shporta për mbeturina në atë hapësirë. Ai tregoi se financues i këtyre ulëseve dhe shportave do të jetë Ambasada e Kanadasë.

“Iu kemi bërë thirrje edhe banorëve që të jenë sot bashkë me ne, fatkeqësisht pak janë përgjigjë prej tyre, mirëpo do të vazhdojmë në këtë mënyrë. Ne do mundohemi që përpos pastrimit të sjellim edhe disa ulëse këtu, do mundohemi të sjellim edhe disa shporta, jo vetëm këtu por në komplet liqenin e Batllavës”.

Nënkryetari i komunës Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se do të vazhdojnë si komunë edhe në aksione të tjera të pastrimit.

“Këta këtë punë nuk e bëjnë për vete, por e bëjnë për komunitetin. Ne si administratë lokale, si qeverisje lokale iu kemi përgjigjur që të vazhdojmë aktivitetet në kuadër të aksionit Ta pastrojmë Kosovën, i cili edhe pse zyrtarisht do të mbyllet me 15 dhjetor, ne si komunë do të vazhdojmë bashkë edhe me organizata të tjera dhe qeverinë, që të krijojmë ambient më të mirë, më të shëndetshëm, më të pranueshëm për popullatën tonë”.

Faik Haliti, pronar i kompanisë “Natyra”, ka thënë se si kompani do të jenë të gatshëm edhe për aksione të tjera të pastrimit, jo vetëm gjatë tre muajve por edhe më tej.

“Përpos anëtarëve të kompanisë ‘Natyra’, sot jemi edhe disa anëtarë të klubit Rotarian të Podujevës, të cilët i janë përgjigjë këtij aksioni. Do ta përkrahim këtë aksion jo vetëm si task forcë që do të zgjasë tre muaj, por ne do të jemi të angazhuar dhe do t’i përgjigjemi çdo aksioni derisa Podujeva të bëhet e pastër, normal edhe Kosova”.

Gjatë këtij aksioni, janë larguar mbi 150 thasë me mbeturina dhe 8 tonë mbetje inerte, ku u pastruan tri deponi të mbeturinave si dhe një hapësirë përreth Liqenit (500 m gjatësi).

n

Të ngjashme