Tahiri dhe Hoxha shprehen të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 16:16 | Nga

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, kanë takuar sot ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, me të cilët kanë diskutuar lidhur me proceset e Kosovës drejt integrimit evropian.

Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të demarkacionit , ministrat Tahiri dhe Hoxha kanë konfirmuar se Qeveria do të vazhdoj me përkushtim për të plotësuar edhe kushtin e fundit, atë të luftës kundër korrupsionit.

Pasi ka njoftuar ambasadorët me hapat e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë për të përmbushur legjislacionin e kërkuar nga Agjenda e Reformave Evropiane, ministri Tahiri ka theksuar se institucionet e drejtësisë janë të mobilizuara më shumë se kurrë.

“Natyrisht, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një sfidë dhe proces i përhershëm, që do vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave, megjithatë, në përmbushje të këtij kriteri, mund të konfirmoj para jush se institucionet e sistemit të drejtësisë, janë më të mobilizuara se kurrë më parë” ka thënë Tahiri.

Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Jemi të vetëdijshëm se progresi i bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet i lartë dhe i lidhur ngushtë me procesin e integrimit evropian, jo vetëm për Kosovën por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor, ashtu siç është theksuar edhe nga Strategjinë e Ballkanit Perëndimor. Dhe në fund, dua t’iu siguroj se institucionet shtetërore e kanë të qartë rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit jo si një kriter i lidhur me agjendën e BE-së, por më e rëndësishme, si një kriter i lidhur me përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Për këtë gjë, do të mbesim të pamëshirshëm në përpjekjet tona për të luftuar këto dukuri negative” ka thënë ministrja Hoxha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme