Tahiri kërkon ndihmën e Estonisë për anëtarësim në BE

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 15:18 | Nga

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, u takua me Zëvendës Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Estonisë, Keit Pentus-Rosimannus​ me të cilën biseduan për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, ndërsa theksoi se e çmojmë mbështetjen e Estonisë për forcimin e shtetit të Kosovës, dhe shkëmbimin e përvojave që në fusha të rëndësishme veçmas rreth reformave në administratën publike të Kosovës. Ajo foli për progresin e vazhdueshëm në Kosovë dhe theksoi se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të avancoj në të gjitha aspektet e zhvillimit të vendit në të mirën e qytetarëve të saj dhe njëkohësisht drejt jetësimit të vizionit tonë euroatlantik.

Ministrja Tahiri gjatë këtij takimi kërkoi mbështetjen nga shteti i Estonisë e cila do të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në fund të vitit 2017, për avancimin e integrimit evropian të Kosovës duke theksuar se Kosova mori Marrëveshjen Stabilizim Asocim dhe po punon për përmbushjen e reformave të MSA. Po ashtu ajo kërkoi që Estonia si kryesuese e radhës të promovoj politikat e zgjerimit të BE-së drejtë vendeve të Ballkanit Perëndimor sepse lodhja në zgjerim që shfaq BE-ja dhe me gjithë mirëkuptimin për sfidat e BE-së, do të ndikojë në lodhjen e këtyre vendeve në udhëtim për në BE por edhe mund të krijohen hapësira të paparashikueshme për ndikime negative nga faktorë të jashtëm negativë që kanë rritur ambiciet në raport me rajonin. Ministra Tahiri potencoi se vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhet ta bëjnë këtë në një periudhë sa më të afërt sepse do të ishte një kontribut për paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin dhe Evropën. Këto vende duhet të mendojnë më strategjikisht se si arrihet paqja e qëndrueshme në rajon.

Rosimannus tha se Estonia e përkrah dhe mbështet fuqishëm dhe në mënyrë konkrete shtetin e Kosovës dhe mbetemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve dhe mbështetjes për integrimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe struktura euroatlantike. Ne mendojmë se zgjerimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe është një instrument i fuqishëm për të garantuar një paqe të qëndrueshme në rajon. Ajo më tej vlerësoi Samitin e Kryetarëve të Komisioneve parlamentare të vendeve të Evropës që po mbahet në Prishtinë me organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës duke thënë se kjo dëshmon fuqizimin e rolit të Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe paqe e stabilitet në Ballkan dhe konfirmon vlerat euroatlantike të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme