Të huajt që lanë vendlindjet e tyre për të jetuar në Kosovë

Prishtinë | 18 Shk 2018 | 15:25 | Nga

Ishte viti 2010 kur Chelesa Charles kishte ardhur për herë të parë në Kosovë.

Nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Chelesa nuk e kishte imagjinuar kurrë që pas kaq shumë vjetësh, Prishtina do të bëhej qyteti i saj, raporton KTV.

Në qytetin e lindjes, kishte dëgjuar për herë të parë për Kosovën kur kishte takuar një familje kosovare.

Pasioni dhe energjia pozitive që kishte hasur në këtë familje e kishte shtyrë Chelesan të marrë rrugën drejt Prishtinës.

Thotë se ky qytet ia vodhi zemrën që në takimin e parë.

Charles sheh shumë ndryshime në Kosovë gjatë këtyre vjetëve.

Por thotë se njerëzit kanë mbetur të njëjtë, mikpritës, të besueshëm dhe të shoqërueshëm.

Chelesa thotë se në zemrën e saj ka pasion ta ndihmojë zhvillimin e ekonomisë në Kosovë, për çka edhe ka hapur para pesë vjetësh një hostel.

Turizmi, sipas saj, është mënyra më e mirë për t’iu treguar të tjerëve se sa e mrekullueshme është Kosova.

Ndërkaq, Stefani është nga Holanda, por që ka zgjedhur tash e sa vjet të jetojë këtu në Kosovë.

Stefani, ashtu sikurse edhe Chelsea, nuk kanë ndonjë plan se kur do të kthehen në vendet e tyre.

Për dhjetë vjetët e ardhshme, planifikojnë të qëndrojnë në Kosovë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Por një histori ndryshe nga ta e ka Ana nga Australia e largët, e cila tash e sa vjet jeton në Kosovë.

Ajo u martua me një kosovar dhe sot, pas 40 vjet martesë, thotë se nuk do të zgjidhte një vend tjetër para Kosovës.

Ajo flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, madje preferon ta quajnë Hava.

Në Kosovë, vetëm gjatë vitit 2017, janë bërë gjithsej 5831 kërkesa për leje qëndrimi nga shtetasit e huaj. Rreth 5762 prej tyre janë kërkesa për leje qëndrimi të përkohshëm.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, 91% e kërkesave kanë marrë përgjigje pozitive.

Ata që kanë bërë kërkesë për leje qëndrimi të përhershëm dhe të përkohshëm janë kryesisht shtetas amerikanë, gjermanë, austriakë, maqedonas dhe shtetas nga Turqia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme