Thaçi: 18 vite pas bombardimeve, synojmë të anëtarësohemi në NATO

Prishtinë | 24 Mar 2017 | 13:23 | Nga

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka përkujtuar 18 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, kundër regjimit të Millosheviqit.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai thotë se në këtë datë kujtohen gjithë ushtarët e NATO-s që humbën jetën gjatë këtyre bombardimeve dhe shërbimeve në Kosovë.

Ky është statusi i tij:

Më 24 mars 1999 filloi bombardimi i caqeve policore dhe ushtarake serbe nga Aleanca ushtarake më e fuqishme e globit – NATO.

Me këtë intervenim po mbyllej kapitulli i fundit i terrorit shekullor të shtetit serb në Kosovë dhe po hapej rruga e çlirimit të Kosovës.

Në këtë datë ndryshuan edhe librat e historisë evropiane. Për herë të parë, bota u bashkua për ta ndalur gjenocidin.

Sot kujtojmë të gjithë ushtarët e NATO-s që humbën jetën gjatë bombardimeve dhe shërbimit në Kosovë, por edhe nderojmë aleatët tanë që e përmbushën premtimin për lirinë tonë.

Sot, 18 vjet më vonë, ne synojmë që në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë e tjerë perëndimorë të bëhemi anëtarë të NATO-s, që nesër edhe ne të kontribuojmë anekënd botës për ruajtjen e paqes. HTH

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme