Thaçi: Krenohemi me suksesin e Duas

Prishtinë | 10 Gus 2016 | 10:41 | Nga Albulena Misini

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim këngëtaren Dua Lipa, të cilën për kontributin e saj në fushën e kulturës nderoi me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Presidenti Thaçi tha se kishte kënaqësinë të takojë suksesin dhe krenarinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ky sukses i Duas është sukses i të gjithë atyre që krenohen për të sotmen dhe për të ardhmen tonë. Ky sukses është vetëm fillimi i një shpërthimi të madh në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Thaçi.

Ai tha se Kosova po e ndërton në mënyrë dinjitoze identitetin e suksesit kosovar, prandaj si president i Republikës ka nderin dhe kënaqësinë që për kontributin e veçantë t’i ndajë këtë medalje Dua Lipës për suksesin e saj.

Këngëtarja kosovare, tashmë me famë botërore shoqërohej nga babai i saj, ish-këngëtari i bendit “Oda”, Dukagjin Lipa.

Nga ana e saj, këngëtarja Lipa u shpreh e lumtur dhe krenare me mundësitë për të promovuar vendin e saj.

“Jam shumë e lumtur dhe krenare që mundem të prezantojë vendin tim dhe që mundem të vi, të bëj një koncert kësisoj. Është pak e papërshkrueshme, veçse jam shumë shumë e lumtur”, tha ajo.

Presidenti Thaçi ka thënë se viti 2016 ishte vit i Kosovës, vit i Duas, vit i Majlindës, i Ritës dhe i të gjithë atyre futbollistëve kosovarë gjithandej nëpër botë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme