Thaçi: Ushtria nuk formohet me ndryshime kushtetuese

Lipjan | 17 Mar 2017 | 11:13 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas takimeve me shoqërinë civile, mediat kosovare dhe ato serbe, presidenti Thaçi ka zgjedhur të mbajë një debat publik me studentët e Kolegjit UBT.

Në ligjëratën e tij para shumë studentëve, Thaçi tha se gjatë këtyre vjetëve pavarësi ka arritur të anëtarësohet në organizata të ndryshme kryesisht sportive ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se konsolidimi i brendshëm sjell njohje të reja.

“Kosova ka kundërshtarët e pavarësisë që punojnë për destabilizimim e vendit tonë”, ka thënë Thaçi para studentëve.

“Ne sot ballafaqohemi me sfidat të cilat janë në interes për të marrë vendime dhe në interes për institucionet e vendit”.

Ai në pikat kryesore foli për projektligjin për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe formimin e komisionit për Pajtimin dhe të Vërtetën.

“Pas zgjedhjeve 2014 me listën e re serbë është krijuar një realitet krejt tjetër, këto ditë është thënë qartë se lista serbe nuk do të votojë kurrë për ushtrinë e Kosovës, pasi ata punojnë me interesa të qeverisë së Serbisë. Dhe kjo do të thotë që ne nuk mundemi të shkojmë me ndryshimet kushtetuese, por me Projektligj”, u ka thënë studenteve presidenti Thaçi.

Gjatë fjalimit të tij presidenti Thaçi vuri theksin në çështjen e transformimit të FSK-së nga misioni civil në atë ushtarak. Ai tha se 110 deputetë të Kuvendit të Kosovës janë deklaruar se do të mbështesin plotësisht themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Duke theksuar se këtë transformim po e mbështesin të gjitha komunitetet tjera jo serbe, Thaçi tha se Lista Serbe nuk po guxon ta votojë këtë ndryshim për shkak të Beogradit. Ai po ashtu ritheksoi se ky proces do të jetë i koordinuar plotësisht me faktorin ndërkombëtar.

“Ky proces është i pandalshëm, do të përmbyllet me sukses. Ka filluar dhe përmbyllja do jetë e suksesshme, e përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare, asnjë faktor ndërkombëtar nuk është kundër themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Vetëm ti shikojmë procedurat, ditën dhe datën”, tha Thaçi.

Kurse, për iniciativën e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ndëretnik në Kosovë, presidenti Thaçi ka thënë se ai komision do të jetë i pavarur, i paanshëm dhe do të udhëhiqet prej përfaqësuesve të dy komuniteteve, shqiptare dhe serbe.

“Jam shumë i vetëdijshëm se këto projekte nuk fitojnë ndonjë duartrokitje apo nuk paraqesin ndonjë entuziazëm në kuptimin populist, por edhe jam shumë i bindur se janë projekte dhe qëndrime të drejta për vendin tonë dhe të ardhmen euroatlantike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjatë këtij fjalimi presidenti Thaçi u pengua nga dy student të UBT-së, të cilët më pas u larguan nga sigurimi i kolegjit.

 

Të ngjashme