Tkurren inspektoratet, i kalojnë në kompetencë kryeministrit

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 19:45 | Nga

42 inspektorate, sa ka gjithsej Kosova, do të reduktohen në 15 dhe ato do të kalojnë nën kompetencën e kryeministrit, ka bërë të ditur Ministri i Tregtisë, Bajram Hasani.

Këtë njoftim Hasani e bëri pas nënshkrimit të marrëveshjes për implementimin e pjesës së dytë të projektit “Klima e Investimeve në Kosovë”, me qeverinë zvicerane, i cili parasheh reforma në inspektimin e bizneseve.

Projekti është financuar nga Qeveria e Zvicrës në vlerë prej 2.3 milionë eurosh dhe do të zbatohet në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare të Financave, e cila e përfaqëson Bankën Botërore.

Sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të jashtme, mirëpo, nuk është përgjigjur se sa ka qenë numri i tyre.

Përfaqësuesi i Korporatës Ndërkombëtare Financiare, Thomas Lubeck, ka thënë se pjesa e dytë ka të bëjë me krijimin e një strategjie, e cila do t’i nxitë investimet e jashtme.

“Ekzistojnë inspektorë të shumtë dhe mbi 150 rregullore të ndryshme. Kam frikë se Kosova pak a shumë mbetet mbrapa me vendet tjera të rajonit. Qëllimi i këtij projekti është që ky proces të jetë më efikas dhe puna e rëndësishme e inspektimit që bëhet nga këto agjenci të shpejtohet. Kështu shpenzimet e bizneseve do të jenë më të vogla, jo vetëm në kontekst financiar, por edhe në kohën që shpenzojnë në rekrutim, investim, punësim të njerëzve, etj”, ka thënë Lubeck.

Ndërsa përfaqësuesi i Bankës Evropiane, Damian Shiels, ka thënë se krijimi i vendeve të reja të punës është hap kyç.

“Për neve, Kosova ka bërë disa përparime shumë të mëdha sa i përket reformave dhe të bërit biznes dhe është shumë e rëndësishme ta mbajmë këtë momentum në zbatim. Dhe, siç e shihni, zbatimi është në uljen e ngarkesës për biznese në arritjen e sukseseve dhe përfundimisht në krijimin e vendeve të punës, që është pjesa qenësore që Kosova duhet të arrijë. Njëra nga gjërat tjera që dëshirojmë të bëjmë është ndërkombëtarizimi i vendit, që të dëshmojmë se është i hapur ndaj konkurrencës dhe investimeve të reja”, ka thënë Shiels.

Zbatimi i këtij projekti, sipas zyrtarëve, ka bërë që Kosova të shënojë progres gjatë vitit 2017, duke u cilësuar ndër 10 vendet më reformatore për ndryshimin e mjedisit të të bërit biznes, duke thjeshtuar procedurat administrative.

Ky projekt ka nisur në vitin 2017 dhe pritet të finalizohet në 2020-tën, ku pritet të investohet edhe me 15 milionë euro të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme