TV Most përmirëson titullin urrejtës ndaj shqiptarëve

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 21:02 | Nga

Kryeredaktorja e TV Most, Liljana Jankovic ka thënë se mediumi ka bërë një lëshim dhe se titulli i shkrimit është i papranueshëm për të.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë ditës së djeshme ka reaguar ashpër në lidhje me artikullin “Šiptarski teroristi prete Marku Đuriću”, (terroristët shqiptar kërcënojnë Marko Gjuriqin), të TV Mostit në Zveçan, shkrim ky që në vetvete mbante gjuhë të urrejtjes.

Pas reagimit të AGK-së, “TV Most”, ka ndryshuar titullin e shkrimit të publikuar me datën 28 janar 2018. “Titulli është plotësisht i papranueshëm. Ky është lëshimi ynë dhe menjëherë do të ndërrojmë titullin. Kjo është thyerje e Kodit dhe nuk është një gjë që ne bëjmë. Nuk ka qenë me qëllim, tani e kam parë tekstin dhe menjëherë kam reaguar, ne nuk raportojmë kësisoj,” i tha Jankoviq të martën Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë.

Asociacioni i Gazetarëve mirëpret reflektimin pozitiv të “TV Most”, me ç’rast bënë thirrje që mediet t’i shmangen çfarëdo gjuhe të urrejtjes gjatë raportimit të tyre. AGK inkurajon të gjitha mediet në Kosovë që t’i përmbahen standardeve profesionale dhe Kodit të Etikës për një informim të drejtë dhe objektiv.

“TV Most” kishte publikuar një artikull të shkurtër në lajmet e mbrëmjes së 28 janarit 2018 në lidhje me shënimin e disa grafiteve në një shkollë fillore në fshatin Ugljarë, që gjendet në afërsi të Fushë Kosovës, ku mësimin e ndjekin fëmijët e komunitetit serb.

Më pas, në portalin e këtij televizioni, është përdorur termi “Siptari” i cili është ofendues ndaj shqiptarëve dhe i cili shpjegon disa detaje të tjera të këtij incidenti, me titull “Šiptarski teroristi prete Marku Đuriću”.

Po ashtu, ky medium ka shkelur kodin etik duke përdorur po ashtu termin “terroristë” duke e cilësuar vet ky medium se rasti në fjalë ka të bëjë me “terrorizëm”.

TV Most ka shfrytëzuar burimin e informacionit nga një medium tjetër për këtë ngjarje, Radio KiM-it në këtë rast, por vërehet hapur se titulli ofendues ka qenë i redaksisë së këtij televizioni.

AGK konsideron se TV Most duke përdorur këtë term ofendues për Shqiptarët ka thyer jo vetëm standardet etike por edhe normat ndërkombëtare që ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe të diskriminimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme