Udhëzuesi për familjet e të zhdukurve, konsiderohet i vonuar

Prishtinë | 14 Dhj 2016 | 16:42 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bashkimi Evropian në Kosovë ka prezantuar Udhëzuesin për familjet e të zhdukurve, i cili shpjegon të drejtat e familjeve të personave të zhdukur, të cilat janë të parashikuara nga legjislacioni i brendshëm, duke përfshirë qasjen në përfitime sociale dhe ekonomike dhe forma të tjera të dëmshpërblimit.

Me këtë rast, Thomas Gnocchi, nga zyra e BE-së, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë me vendosmëri për të zgjidhur fatin e personave të pagjetur.

Gnocchi ka theksuar se shtetet duhet ta kenë të qartë se çështja jo vetëm që duhet zgjidhur, por kryesit e krimeve duhet të sillen para drejtësisë që të marrin dënimin e merituar.

Ky udhëzues, nga familjarët e të zhdukurve po konsiderohet tejet i vonuar dhe pa ndonjë shpresë për të zgjidhur këtë problem të krijuar tashmë e 17 vjet.

Në emër të kryeministrit Isa Mustafa ka folur këshilltari i tij, Sokol Havolli, i cili theksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet primarë zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Nuk ka nevojë të potencohet se e drejta për të ditur familjaret për të personat e të të pagjeturve është e drejtë themelore e çdo njeriu dhe është e mbrojtur me ligjet dhe konventat e Kosovës”, u shpreh Havolli.

Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve, mendon se udhëzuesi është i vonshëm duke thënë se prej kur është përmendur që të bëhet një udhëzues 20% e prindërve kanë vdekur.

“Na kanë mbetur shumë borxh jo veç ICP-ja e shumë të tjera, por ndërkombëtarët na kanë mbetur shumë borxh për fatin e të pagjeturve. Nuk mundet doracaku me u vonu kaq shumë kur edhe kushtet Bashkësisë Evropiane i ka pasur në kohë ose është dashur të kërkohen mjete. Fjala konflikt, ju lutem hiqeni këtë fjalë prej fjalorit. Konflikti u kry në këtë territor ka pasur luftë, gjenocid e tmerr dhe njerëzit qe e kanë përjetuar këtë kurrë nuk kanë me ardhë ne vete”, ka thënë Qerkini.

Selami Hoti, kryetari i fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit, u shpreh se çdo ndihmë që vjen për çështjen e të pagjeturve është e mirëseardhur. Por, ai konsideron se ky udhëzues është i vonuar dhe nuk ndihmon shumë.

“Çështja e të pagjeturve mendoj se është degraduar aq shumë saqë në vend që të jetë temë kyç në Bruksel, zonja Edita Tahiri po merret me murin në veri të Mitrovicës, ndërsa familjarët e të të pagjeturve po mbesin me shpresë se një ditë të gjendet një thes me eshtra”, u shpreh Hoti.

Ai tha se mungesa e presidentit Thaçi në këtë konferencë të rëndësishme shpreh joseriozitetin e institucionit që ai udhëheq karshi këtyre kategorive.

“Ne kemi shtet i cili është i njohur ndërkombëtarisht, kemi policinë, morgun dhe ata duhet të merren me identifikimin e autorëve, ose t’i identifikojnë ose t’i dënojnë autorët”, u shpreh Hoti.

Nga përfundimi i luftës, 17 vjet më parë, nuk është arritur të ndriçohet fati i mbi 1600 personave të cilët konsiderohen si të pagjetur.

Kësisoj, familjarët e viktimave dhe shoqëria kosovare vazhdon të përballet me mohimin e së drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.

Udhëzuesi shpjegon të drejtat e familjeve të personave të zhdukur, të cilat janë të mbrojtura me Ligjin e Kosovës për personat e zhdukur të aprovuar në vitin 2011, të njëjtën kohë përfshinë qasjen në përfitimet sociale dhe ekonomike dhe format tjera të reparacioneve.

Ky udhëzues shpjegon se si të raportohet personi i zhdukur dhe përshkruan rolet dhe përgjegjësia e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore, organizatave të përfshira në procesin e gjetjes së personave të zhdukur nga lufta në Kosovë.

Të ngjashme